Tregu imobiliar ka shfaqur tendenca rigjallërimi, ndërkohë që vihet re një rikthim i rritjes së çmimit të pronave në tre-mujorin e dytë të vitit 2024, pasi ishte konstatuar një frenim në muajt e parë. Këto janë disa nga gjetjet e vrojtimit të Bankës së Shqipërisë me kompanitë e ndërtimit dhe shoqëritë imobiliare.
Megjithatë, sipas të dhënave të publikuara në studimin e BSH, ende nga një ngurrim për blerje të banesave dhe shkak për këtë mund të jetë deri diku edhe pritja për procesin e rivlerësimit, i cili parashikohet të bëhet efektiv me tatim të reduktuar në fund të muajit shtator.
Numri i subjekteve që kanë kryer shitje (67 subjekte) ishte disi më i ulët se ai i gjashtëmujorit të kaluar (77 subjekte), dhe numri i përgjithshëm i pronave të shitura ishte 928, një vlerë kjo gjithashtu më e ulët nga periudha e mëparshme, theksohet në vrojtim.
Rreth 35% e shitjeve të realizuara gjatë gjashtëmujorit të parë 2024 në të gjithë territorin përfaqësohet nga prona të vendosura në zonat më të preferuara brenda qytetit (nga 43% gjatë periudhës paraardhëse); 43% e pronave të shitura kanë qenë prona të ndërtuara në periferi, brenda qytetit (nga 48% në periudhën e kaluar), dhe rreth 22% e pronave kanë qenë prona të ndërtuara jashtë qytetit (nga 9% gjashtëmujorin e kaluar).
Në 6-mujorin e parë të vitit është rritur më tej tendenca e blerjes së pronave në bregdet dhe këtë e tregon edhe reduktimi i ndjeshëm i kohës mesatare të shitjes së një prone në zonat e lakmuara bregdetare, përkundrejt rritjes në Tiranë.
Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi ra lehtë në 10.5 muaj nga 10.9 muaj në vrojtimin e mëparshëm. Në rastin e Tiranës, koha mesatare e shitjes është raportuar e rritur lehtë, në 9.7 nga 8.3 muaj. Koha mesatare për shitjet në zonat bregdetare u ul ndjeshëm në 5.9 nga 10.9 muaj që ishte më parë.
Indeksi Fischer i çmimit të banesave në rang vendi, i llogaritur për gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, shënoi rritje me 16.9% ndaj gjashtëmujorit të mëparshëm, dhe me 8% ndaj të njëjtës periudhë një vit më parë. Kjo tregon se çmimet e banesave i janë rikthyer rritjes. /ekofin.al
