Njoftimi i Autoritetit të Konkurrencës me titull “Ditë të mira për konsumatorin shqiptar” ngre më shumë pikëpyetje sesa jep përgjigje.
Edhe pse mbrojtja e konsumatorit është një objektiv legjitim, mënyra se si Autoriteti ka zgjedhur të komunikojë vendimin e tij për hetimin ndaj Vodafone Albania dhe One Albania hap një debat serioz mbi kufijtë e kompetencave ligjore të institucionit.
Në njoftimin zyrtar, Autoriteti rendit një sërë detyrimesh që u imponohen dy operatorëve celularë, duke filluar nga krijimi i paketave të posaçme për pensionistët dhe studentët, detyrimi për të shitur paketat më të lira edhe në dyqanet fizike, rregullat për kalimin në paketa më ekonomike, mënyra e njoftimit të abonentëve, deri te përmbajtja e kontratave dhe procedurat e bartjes së numrit.
Megjithatë, vendimi nr. 1307, datë 24 korrik 2026, mbi të cilin mbështetet i gjithë njoftimi, nuk është publikuar ende në faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës. Për pasojë, publiku, ekspertët dhe media nuk kanë mundësi të verifikojnë arsyetimin juridik të vendimit, analizën ekonomike mbi të cilën është mbështetur Komisioni apo bazën ligjore konkrete që justifikon këto masa.
Po aq domethënës është fakti se në njoftimin publik mungon çdo referencë ndaj dispozitave të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, duke e bërë të paqartë se cilat nene autorizojnë Autoritetin të imponojë detyrime kaq të detajuara mbi mënyrën e ofrimit të shërbimeve në tregun e komunikimeve elektronike.
Praktikisht, shumica e masave të shpallura nuk lidhen drejtpërdrejt me rivendosjen e konkurrencës në treg, por me rregullimin e marrëdhënieve kontraktore mes operatorëve dhe abonentëve. Këto janë elemente që tradicionalisht i përkasin kompetencave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), i cili është autoriteti rregullator sektorial për tregun e komunikimeve elektronike në Shqipëri.
AKEP është institucioni që miraton rregullat për kontratat e abonentëve, transparencën tarifore, portabilitetin e numrit, detyrimet ndaj përdoruesve fundorë dhe mbikëqyr respektimin e legjislacionit sektorial nga operatorët. Pikërisht për këtë arsye lind pyetja nëse Autoriteti i Konkurrencës, përmes këtij vendimi, po hyn në një territor që ligji ia ka rezervuar një autoriteti tjetër të pavarur.
Po kështu, një aspekt që meriton debat është detyrimi për krijimin e paketave të dedikuara për pensionistët dhe studentët. Edhe pse socialisht mund të konsiderohet një masë pozitive, lind pyetja nëse një autoritet i konkurrencës ka kompetencën të detyrojë një operator privat të krijojë produkte të reja komerciale për kategori të caktuara konsumatorësh, apo nëse kjo përbën një ndërhyrje në politikën tregtare të sipërmarrjes që shkon përtej objektivit të mbrojtjes së konkurrencës.
E njëjta dilemë ngrihet edhe për kërkesën që kontratat tip të marrin vlerësimin paraprak të Autoritetit të Konkurrencës. Në praktikën rregullatore shqiptare dhe evropiane, kontrolli i kontratave standarde me konsumatorët është zakonisht pjesë e kompetencave të autoriteteve sektoriale ose të mbrojtjes së konsumatorit, jo të autoriteteve të konkurrencës.
Nëse Autoriteti ka identifikuar sjellje të koordinuara, marrëveshje të ndaluara apo abuzim me pozitën dominuese, ai ka të drejtë të ndërhyjë sipas ligjit për rivendosjen e konkurrencës efektive. Por kur ndërhyrja shtrihet deri në përcaktimin e përmbajtjes së ofertave tregtare, mënyrës së shitjes së paketave, kushteve kontraktore dhe segmenteve të klientëve që duhet të përfitojnë tarifa të veçanta, lind nevoja për një debat institucional mbi kufijtë e kompetencave të secilit autoritet.
Po aq problematik mbetet edhe fakti që një vendim me pasoja të rëndësishme për një treg me qindra mijëra abonentë komunikohet publikisht përpara se të jetë bërë i disponueshëm në versionin e plotë dhe të arsyetuar. Transparenca kërkon që akti administrativ të publikohet i plotë, në mënyrë që publiku të mund të vlerësojë jo vetëm rezultatin, por edhe argumentimin juridik dhe ekonomik mbi të cilin është ndërtuar.
Në mungesë të vendimit të zbardhur, mbetet e pamundur të vlerësohet nëse masat e vendosura përbëjnë një zbatim të ligjit të konkurrencës apo një zgjerim të rolit të Autoritetit përtej kufijve që i ka përcaktuar ligjvënësi. /ekofin.al


