Numri i punonjësve në administratën publike është rritur me më shumë se 600 individë që nga fillimi i këtij viti. Sipas aktit normativ të ri të miratuar nga qeveria për ndryshime në buxhet, aktualisht regjistrohen 85,974 punonjës buxhetorë, një rritje prej 628 punonjësish në krahasim me muajin shkurt, kur numri ishte 85,346. Krahasuar me buxhetin fillestar, rritja është 800 individë.
Ministria e Arsimit dhe Sportit, e cila përfshin mësuesit, ka numrin më të madh të punonjësve, me 31 mijë individë, ndjekur nga Ministria e Brendshme, që ka 15,796 punonjës, përfshirë këtu edhe punonjësit e policisë. Ministria e Brendshme ka shtuar 500 punonjës në krahasim me aktin normativ të mëparshëm, ndërsa Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka rritur numrin e punonjësve me 80 individë.
Institucionet e tjera qeveritare, kryesisht agjencitë, kanë një total prej 1,560 punonjësish dhe kanë pësuar një rritje të vogël prej 7 individësh. Reforma e rritjes së pagave, e nisur në vitin 2023 dhe e vazhduar këtë vit, e ka bërë administratën publike më tërheqëse për punësim, duke çuar pagën mesatare në mbi 900 euro në muaj. Ky ndryshim ka thelluar ndjeshëm hendekun midis pagës në sektorin publik dhe atë privat. Megjithatë, ende ekzistojnë vakanca të shpallura që nuk janë mbushur me staf.
