Ministria e Bujqësisë do të hapë një skemë të re mbështetje për fermerët përmes subvencioneve të dhëna nga buxheti i shtetit. Me aktin normativ të miratuar së fundmi, qeveria ka akorduar një shtesë fondesh për Ministrinë e Bujqësisë në vlerën e 500 milionë lekëve.
Në relacionin thuhet se shtesa e fondeve në masën 500 milionë lekë për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, do të shkojë në mbështetje të fermerëve për implementimin e skemës së re të mbështetjes/grand për investime, e cila synon të krijojë iniciativë për rritjen e investimeve në sektorin e bujqësisë, me qëllim rritjen e prodhimit, agropërpunimit dhe eksporteve.
Referuar relacionit, shtesa nevojitet për të mbuluar rreth 20-30% të aplikimeve, të cilat i korrespondojnë periudhës shtator-dhjetor 2024.
Pas miratimit të aktit normativ, Ministria e Bujqësisë ka dhënë disa detaje se ku do të përdoret ky fond. Sipas këtij institucioni, shtesa do të shkojë si mbështetje për fermerët për ndërtimin e serave të reja, po ashtu për herë të parë do ti kushtohet vëmendje ndërtimit të rrjetave antibreshër, pasi “pabesitë” e motit në kulmin e prodhimit kanë sjellë dëme të mëdha për prodhuesit. Nga ana tjetër, fondi parashikohet të kanalizohet në ndërtimin e stallave për bagëtitë. Para pak kohësh Ministria e Bujqësisë miratoi një udhëzim për ndërtimin e sallave sipas standardeve të duhura, ku dhe ishte parashikuar mbështetje për këtë kategori.
