Komisioni Evropian ka përshkallëzuar përballjen me Meta-n, duke vlerësuar paraprakisht se Facebook dhe Instagram shkelin rregullat e Bashkimit Evropian për shkak të elementeve të dizajnit që nxisin varësinë e përdoruesve. Nëse konfirmohet shkelja, kompania rrezikon një gjobë që mund të kalojë 11 miliardë euro, një nga më të mëdhatë e vendosura ndonjëherë ndaj një platforme dixhitale.
Sipas Komisionit, Meta nuk ka ndërmarrë masa të mjaftueshme për të kufizuar rreziqet që platformat e saj paraqesin për shëndetin fizik dhe mendor të përdoruesve, veçanërisht të fëmijëve dhe adoleshentëve.
Në shënjestër “scroll”-i i pafund dhe videot që nisin vetë
Hetimi fokusohet tek disa nga funksionet më të përdorura të Facebook-ut dhe Instagram-it, si “infinite scroll” (lëvizja e pafund e përmbajtjes), autoplay (nisja automatike e videove), njoftimet “push” dhe algoritmet që personalizojnë vazhdimisht përmbajtjen sipas preferencave të përdoruesit.
Sipas Komisionit Evropian, këto mekanizma i shtyjnë përdoruesit të vazhdojnë të konsumojnë përmbajtje pothuajse pa e kuptuar, duke krijuar një sjellje të ngjashme me varësinë.
“Në mbrojtjen e qytetarëve evropianë, shëndeti fizik dhe mendor duhet të jetë prioritet për platformat e rrjeteve sociale,” deklaroi Henna Virkkunen, Zëvendëspresidente Ekzekutive e Komisionit Evropian për Sovranitetin Teknologjik, Sigurinë dhe Demokracinë.
Ajo theksoi se Akti për Shërbimet Dixhitale (Digital Services Act – DSA) u jep autoriteteve evropiane bazën ligjore për t’i mbajtur platformat përgjegjëse për dizajnin dhe efektet që shërbimet e tyre kanë mbi përdoruesit.
Hetimi: Meta nuk vlerësoi si duhet rrezikun për të rinjtë
Hetimi i Komisionit Evropian nisi në maj të vitit 2024 dhe analizoi mënyrën se si Meta menaxhon rreziqet që platformat e saj paraqesin për përdoruesit.
Sipas gjetjeve paraprake, kompania nuk ka vlerësuar në mënyrë të mjaftueshme ndikimin që Facebook dhe Instagram kanë mbi mirëqenien mendore të përdoruesve, veçanërisht të të miturve dhe personave më të cenueshëm.
Autoritetet evropiane konstatuan se Meta nuk ka marrë parasysh të dhënat që tregojnë se shumë adoleshentë kalojnë orë të tëra në Instagram dhe Facebook gjatë natës, ndërsa formate si Reels dhe Stories janë optimizuar në mënyrë që të nxisin përdorim të zgjatur dhe të përsëritur të platformave.
Masat ekzistuese nuk konsiderohen të mjaftueshme
Komisioni Evropian vlerëson se edhe mjetet që Meta ka vendosur për të kufizuar kohën e përdorimit nuk japin rezultatet e pritura.
Sipas hetimit, funksionet për menaxhimin e kohës së ekranit, përfshirë ato që aktivizohen automatikisht për adoleshentët, mund të shpërfillen lehtësisht dhe nuk ndikojnë në uljen reale të kohës së kaluar në platformë.
Po ashtu, kontrollet prindërore konsiderohen efektive vetëm për prindërit që kanë njohuri teknike dhe kohë të mjaftueshme për t’i konfiguruar, gjë që, sipas Komisionit, kufizon ndjeshëm efektivitetin e tyre.
Brukseli kërkon ndryshime të detyrueshme
Komisioni Evropian kërkon që Meta të bëjë ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si funksionojnë Facebook dhe Instagram.
Ndër masat e propozuara janë çaktivizimi si opsion standard i videove që nisin automatikisht dhe i “scroll”-it të pafund, vendosja e ndërprerjeve efektive gjatë përdorimit të aplikacioneve, si dhe ndryshimi i algoritmeve të rekomandimit, në mënyrë që ato të mos synojnë vetëm rritjen e angazhimit të përdoruesve.
Megjithatë, këto janë gjetje paraprake dhe nuk përbëjnë ende një vendim përfundimtar. Meta ka të drejtë të shqyrtojë dosjen e hetimit dhe të paraqesë argumentet e saj përpara se Komisioni të marrë një vendim përfundimtar.
Meta rrezikon një gjobë rekord
Nëse Komisioni Evropian arrin në përfundimin se Meta ka shkelur Aktin për Shërbimet Dixhitale, kompania mund të përballet me një gjobë deri në 6% të xhiros së saj globale vjetore.
Duke pasur parasysh se Meta raportoi të ardhura prej afro 201 miliardë dollarësh gjatë vitit 2025, gjoba mund të arrijë në mbi 11 miliardë euro.
Ky është një tjetër hap në ofensivën e Bashkimit Evropian ndaj gjigantëve të teknologjisë. Më herët, sipas të njëjtit ligj, platforma X e Elon Musk u gjobit me 120 milionë euro, ndërsa platforma kineze e tregtisë elektronike Temu u ndëshkua me një gjobë prej 200 milionë eurosh.
Paralelisht, Komisioni Evropian po zhvillon edhe një hetim të veçantë ndaj Meta-s për masat që kompania zbaton për verifikimin e moshës së përdoruesve nën 13 vjeç, një çështje që mbetet gjithashtu nën vëzhgimin e autoriteteve evropiane./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

