Planet për krijimin e një zone të posaçme ekonomike në Cala Finanza, në verilindje të Sardenjës, u anuluan pasi projekti për një resort luksoz “glamping” në zonën e mbrojtur të Tavolarës rrezikonte të shndërrohej në një skandal kombëtar, të krahasueshëm nga mediat italiane me rastin e investimeve turistike në zonat e mbrojtura të Shqipërisë.
Por vetëm pak ditë pas tërheqjes së autorizimit, qeveria e Giorgia Melonit ka shkurtuar me rreth 23% fondet për parqet, rezervatet natyrore dhe zonat detare të mbrojtura. Për organizatat mjedisore, ky vendim ngre dyshimin se tërheqja nga projekti i Tavolarës nuk shënon një ndryshim real të politikës mjedisore, por mund të pasohet nga një lloj “hakmarrjeje financiare” ndaj sistemit të zonave të mbrojtura, të cilat tashmë do të kenë më pak burime për kontrolle, mbikëqyrje dhe ruajtjen e biodiversitetit.
Masat dhe zonat që preken nga shkurtimi i fondeve
Parqet kombëtare, rezervatet natyrore dhe zonat e mbrojtura detare do të duhet të përballen me një ulje të ndjeshme të burimeve financiare të destinuara për funksionimin e tyre. Gjatë javëve të fundit, Ministria e Mjedisit dhe Sigurisë Energjetike ka njoftuar institucionet administruese për transfertat e reja për vitin financiar në vazhdim, me shkurtime që në total arrijnë rreth 23% krahasuar me vitin e kaluar. Në disa raste, reduktimi tejkalon 700 mijë euro, duke prekur drejtpërdrejt shpenzimet e zakonshme të funksionimit.
Masa prek të gjithë sistemin e zonave të mbrojtura në Itali, nga parqet e mëdha kombëtare, si Gran Paradiso, Stelvio dhe Parku Kombëtar i Abrucos, Lacios dhe Molises, deri te rezervatet natyrore shtetërore dhe 32 zonat e mbrojtura detare.
Sipas ministrisë, ulja është pasojë e fondeve më të pakta të parashikuara për Ministrinë e Mjedisit në Ligjin e Buxhetit 2026. Shkurtimet nuk janë të njëjta për të gjitha institucionet, por ndryshojnë nga njëri te tjetri.
Megjithatë, vendimi duket se bie ndesh me angazhimet e marra nga Italia për mbrojtjen e biodiversitetit. Në vitin 2023, vetë ministria miratoi Strategjinë për Biodiversitetin 2030, ndërsa Italia iu bashkua marrëveshjeve globale, si ato që burojnë nga COP15, të cilat parashikojnë që deri në vitin 2030 të mbrohet ligjërisht të paktën 30% e territorit tokësor dhe detar.
Reduktimi i burimeve të destinuara për institucionet që administrojnë këto zona rrezikon ta bëjë më të vështirë, në mos të pamundur, arritjen e këtyre objektivave.
Pasojat mund të prekin aktivitete thelbësore për ruajtjen e trashëgimisë natyrore. Mungesa e fondeve mund të cenojë monitorimin e ekosistemeve, ndërhyrjet për mbrojtjen e biodiversitetit, mirëmbajtjen e zakonshme dhe të jashtëzakonshme, hapjen e zonave për publikun, programet e edukimit mjedisor dhe parandalimin e zjarreve në pyje, një çështje veçanërisht delikate gjatë sezonit të verës.
Një problem tjetër lidhet me momentin kur u njoftuan shkurtimet. Institucionet administruese i kishin planifikuar dhe, në shumë raste, angazhuar tashmë burimet financiare, duke u bazuar te fondet e parashikuara në fillim të vitit.
Reduktimi i financimeve në mes të vitit financiar rrezikon të cenojë kontratat e nënshkruara, shërbimet në vazhdim dhe aktivitetet e programuara, duke e bërë më të ndërlikuar menaxhimin ekonomik dhe organizativ.
Disa shoqata mjedisore kanë shprehur shqetësim të madh. Blue Marine Foundation, Greenpeace Italia, Italia Nostra, Lipu, Marevivo, Mountain Wilderness, ProNatura, WWF Italia dhe Worldrise vlerësojnë se vendimi tregon mungesë të plotë interesi për mbrojtjen e mjedisit, biodiversitetit dhe ekosistemeve, pavarësisht se Kushtetuta i njeh këto aspekte si vlera themelore.
Organizatat theksojnë gjithashtu se një territor i brishtë, gjithnjë e më i ekspozuar ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike dhe zënies së tokës nga ndërtimet, do të kishte nevojë për më shumë investime në zonat e mbrojtura, të cilat konsiderohen instrumente thelbësore për ruajtjen e natyrës dhe parandalimin e rreziqeve mjedisore.
“Reduktimi i burimeve mund të përkthehet në më pak kontrolle në territor, më pak kërkime, ndërhyrje rehabilituese dhe shërbime mbikëqyrjeje, duke dobësuar aftësinë për të mbrojtur trashëgiminë natyrore kombëtare”, deklaroi drejtori për Çështjet Ligjore dhe Institucionale i WWF Italia, Dante Caserta.
Për këtë çështje reagoi edhe presidenti i Federparchi, Luca Santini, i cili i kërkoi ministrisë hapjen e një tryeze institucionale për rikthimin e burimeve të nevojshme që nga viti 2027.
Sipas Santinit, nëse masa do të ishte e përkohshme, institucionet mund të përpiqeshin t’i përballonin efektet e saj, por një reduktim i përhershëm do të përbënte një problem të rëndësishëm për një vend që zotëron trashëgiminë më të pasur të biodiversitetit në Europë.
Veçanërisht të ekspozuara janë zonat e mbrojtura detare, të cilat mund të hasin vështirësi për të ruajtur ekuilibrin e buxheteve të tyre.
Për institucionet administruese, sfida afatshkurtër do të jetë garantimi i vazhdimësisë së shërbimeve thelbësore me burime dukshëm më të ulëta se ato mbi të cilat kishin planifikuar aktivitetet e vitit në vazhdim.
Ky reduktim i fondeve vjen në një periudhë kur efektet e ndryshimeve klimatike e bëjnë edhe më të rëndësishëm rolin e zonave të mbrojtura në ruajtjen e ekosistemeve dhe parandalimin e rreziqeve mjedisore.
Edhe pse qëndrimi i qeverisë për çështjet mjedisore ka qenë i qartë që nga fillimi, ruajtja e zonave të mbrojtura dukej si i vetmi front ku askush nuk do të guxonte të tërhiqej.
E gjithë kjo ndodh ndërkohë që e njëjta shumicë po çon përpara një reformë të rregullave të gjuetisë, e cila ndryshon rrënjësisht ligjin nr. 157/1992 për mbrojtjen e faunës së egër.
Parashikohet zgjerimi i listës së specieve që mund të gjuhen, mundësia për të zgjatur më tej aktivitetin e gjuetisë dhe lehtësimi i kufizimeve territoriale.
Këto janë masa problematike edhe më vete, por duken edhe më shqetësuese nëse vendosen në një skenar të ardhshëm ku zonat e mbrojtura do të kenë gjithnjë e më pak fonde në dispozicion për të mbrojtur biodiversitetin dhe territorin./Përshtati nga L’indipendente, ekofin.al

