Ashtu siç ishte paralajmëruar, Qeveria ka rishikuar për herë të dytë Buxhetin e vitit 2024, duke rritur projeksionet për të ardhuratme 27 miliardë lekë, si edhe shpenzimet e planifikuara. Pas vendimit të marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, kreu i Financave Petrit Malaj dha disa detaje në lidhje me sektorët ku shtohen financimet.
“Ne kemi rishikuar buxhetin e vitit 2024 duke rritur të ardhurat e parashikuara për këtë vit në vlerën 27 miliardë lekë. Kjo ka ardhur për shkak të një performance të mirë të të ardhurave nga agjencitë tatimore, doganore, si edhe të ardhurat e mbledhura nga njësitë vendore. Këto të ardhura shtesë janë menduar të shpërndahen në ato sektorë që kanë ndikim të lartë në jetën sociale dhe në ato sektor që kontribuojnë më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit,” theksoi Ministri.
Në këtë mënyrë, janë rritur financimet për ministrinë e Bujqësisë me 500 milionë lekë në mënyrë që të mbështetet skema e granteve të fermerëve.
250 milionë lekë shtesë janë akorduar për ministrinë e Shëndetësinë për të financuar projekte të shërbimit të kujdesit parësor dhe dytësor.
Kemi rritur financimin për ministrinë e Brendshme në vlerën 1.3 miliardë lekë për kompensimin ushqimor të policisë, si edhe mbështetjen buxhetore për orët e punës shtesë gjatë sezonit të verës.
Kemi rritur fondin për ministrinë e Arsimin në masën 300 milionë lekë për shpërblimin e sportistëve që kanë arritur rezultate të mira.
Është rritur me 2 miliardë lekë mbështetja për financime për Ujësjellës–kanalizimet, bëri të ditur Ministri.
Gjithashtu, do të ketë rritje të financimeve për projektet në infrastrukturë, por Ministri nuk specifikoi se cilat projekte do të mbështetet konkretisht me më shumë fonde. /Ekofin.al
