Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria synon të rrisë mbështetjen për startup-et duke arritur në kuotën e 20 milionë eurove në vitin 2030.
Kryeministri Rama dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj ishin sot në aktivitetin e shpalljes së startup-eve fituese që do të mbështeten përmes “Grant 2026”.
Kryeministri theksoi se kishte një numër shumë të lartë aplikimesh dhe fondi prej 3 milionë eurosh i vendosur fillimisht në dispozicion nuk siguronte mbështetjen e duhur për të gjithë ata që sipas komisionit të vlerësimit meritonin mbështetje.
Ndaj sipas tij, u shty në kohë shpallja e fituesve për të reflektuar me Aktin Normativ të qershorit duke e rritur këtë fond në 6 milionë euro.
“Ky është rezultat i mundësisë që krijoi ekonomia në këto muaj. Ekonomia ka reaguar shumë pozitivisht dhe si rezultat edhe të ardhurave në buxhetin e shtetit janë rritur përtej parashikimit”, tha Rama.
Kjo, sipas tij, bëri që të angazhohet edhe një fond ekstra për t’iu përgjigjur të gjithë aplikantëve që kanë sjellë propozime dhe që meritojnë ta kenë një shans, duke kaluar nga 3 milionë euro, në 6 milionë euro.
Kryeministri bëri të ditur po ashtu se në një vlerësim të kohëve të fundit sistemi ynë i startup-eve është klasifikuar i katërti për rritjen më të shpejtë në rang europian.
“Kjo rritje më e shpejtë është relative sepse ne e kemi nisur nga një bazë shumë e ulët kur ndërmorëm këtë rrugëtim. Faktikisht në vitin 2022 kishim një shifër më modeste, vetëm 2 milionë euro dhe mësuam bashkërisht se si ta çojmë përpara ngritjen e këtij eksosistemi. Sot jemi në 6 milionë dhe ambicia jonë është që deri në fund të kësaj dekade, në vitin 2030 të arrijmë një kapacitet prej 20 milionë eurosh për mbështetjen e startup-eve. Kjo do të varet shumë nga cilësia e aplikimeve dhe dinamika mëtejshme e zgjerimit të ekosistemit por ajo që kemi mësuar është që qeveria duhet të jetë gati për të financuar deri në një volum prej 20 milionë eurosh”, shtoi Rama./ATSH

