Shoqëritë e sigurimit po paguajnë shumë më tepër dëme gjatë këtij viti, si në vlerë, ashtu edhe në numër praktikash. Rritja e numrit të praktikave të dëmeve, gjë që u vu re edhe gjatë vitit 2023, vjen si pasojë e përdorimit në masë të Raportit Europian të Aksidenteve. Sipas të dhënave të bëra publike nga AMF, vitin e kaluar, zgjidhja me marrëveshje e aksidenteve, për dëmet me vlerë deri në 30.000 lekë, u aplikua në rreth 36% të rasteve.
Me sa duket kjo tendencë, ka vijuar edhe në muajt e parë të këtij viti. Në tregun e sigurimeve të Jo-Jetës, ku dominojnë sigurimet motorike, për 7-mujorin janar-korrik janë paguar mbi 40 mijë praktika dëmesh, nga 33 mijë që ishte kjo shifër në të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Bazuar në të dhënat e publikuara nga AMF, dëmet e paguara bruto në të gjithë tregun e sigurimeve për janar-korrik 2024 arritën në afro 4.76 miliardë lekë, ose 21.5% më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Mbeten dominuese dëmet në sigurimin motorik. Shoqëritë e Jo-Jetës kanë paguar 3.4 miliardë lekë dëme në këtë kategori sigurimi, me një rritje prej 20.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Por cila është shoqëria që ka paguar shifrën më të lartë të dëmeve? Sigal Uniqa Group Austria rezulton të ketë paguar mbi 1 miliardë lekë dëme për periudhën janar-korrik 2024, ose afro çerekun e dëmeve të paguara nga i gjithë tregu i Jo-Jetës. Gjysma e vlerës së dëmeve të paguara nga Sigal është për sigurimin TPL.
Sigal Uniqa është po ashtu në vend të parë edhe sa i përket praktikave të dëmeve të paguara për periudhën janar-korrik 2024, me 10,820 dosje dëmesh të procesura dhe paguara. /Ekofin.al
