Banka e Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%, duke mos ndryshuar as normën e depozitës njëditore në 1.5% dhe normën e kredisë njëditore në 3.5%. Vendimi u mor këtë të mërkurë nga Këshilli Mbikëqyrës, i cili vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për zhvillimet ekonomike dhe inflacioniste në vend.
Në konferencën për shtyp pas mbledhjes, guvernatori Gent Sejko theksoi se ekonomia shqiptare vijon të rritet me ritme solide, ndërsa inflacioni është rritur gjatë tremujorit të dytë kryesisht për shkak të shtrenjtimit të naftës në tregjet ndërkombëtare.
Sipas Bankës së Shqipërisë, inflacioni mesatar arriti në 2.9% gjatë muajve prill-maj, nga 2.5% në tremujorin e parë. Rritja është ndikuar kryesisht nga çmimet e karburanteve, por edhe nga ushqimet e papërpunuara dhe disa shërbime, ndërsa forcimi i lekut, kërkesa e balancuar në ekonomi dhe pritjet e qëndrueshme për inflacionin kanë ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të inflacionit bazë.
Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të ngjitet lehtësisht mbi objektivin 3% gjatë gjysmës së dytë të vitit, por e konsideron këtë një zhvillim të përkohshëm. Sipas skenarit bazë, me normalizimin e çmimeve të naftës dhe zbutjen graduale të tensioneve gjeopolitike, inflacioni do të rikthehet pranë objektivit në afatin e mesëm.
Në të njëjtën kohë, banka qendrore vlerëson se ekonomia shqiptare do të vazhdojë të rritet pranë potencialit të saj. Të dhënat e INSTAT tregojnë se Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 3.7% në tremujorin e parë të vitit, i mbështetur nga konsumi, investimet private dhe eksportet e mallrave e shërbimeve.
Tregu i punës vijon të mbetet i fortë. Punësimi në sektorin privat jobujqësor është rritur me 2.2%, paga mesatare në këtë sektor me 11.5%, ndërsa norma e papunësisë ka mbetur në 8.4%. Sipas Bankës së Shqipërisë, këta tregues sinjalizojnë mungesë të fuqisë punëtore në disa sektorë, por deri tani presionet nga pagat nuk janë reflektuar në rritje të qëndrueshme të inflacionit.
Ndërkohë, kreditimi i ekonomisë vazhdon të zgjerohet me ritme të larta. Portofoli i kredisë për sektorin privat u rrit me 13.8% në muajin maj, i mbështetur nga norma të ulëta interesi, likuiditet i bollshëm dhe kërkesa e fortë për financimin e investimeve të bizneseve dhe blerjen e banesave nga familjet.
Megjithatë, Banka e Shqipërisë paralajmëron se pasiguritë mbeten të larta. Rreziqet kryesore lidhen me zhvillimet gjeopolitike dhe ecurinë e çmimeve të energjisë dhe naftës. Për këtë arsye, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se balanca e rreziqeve mbetet në kahun e sipërm për inflacionin dhe në kahun e poshtëm për rritjen ekonomike.
Sipas Guvernatorit Sejko, politika monetare do të vijojë të orientohet drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të reagojë nëse zhvillimet e ardhshme do ta bëjnë të nevojshëm një ndryshim të qëndrimit të saj monetar./ekofin.al

