Qeveria shqiptare ka hedhur për konsultim dhe miratim Strategjinë Kombëtare për Diasporën 2026-2030, një dokument që synon ta shndërrojë diasporën shqiptare nga një burim tradicional remitancash në një partner strategjik të zhvillimit ekonomik, social dhe institucional të vendit. Dokumenti parashikon një qasje të re, ku shqiptarët që jetojnë jashtë vendit do të kenë një rol më të madh në investime, sipërmarrje, transferim njohurish, pjesëmarrje politike dhe promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë.
Strategjia vjen si vijim i dokumentit 2021-2025, por me objektiva më ambicioze. Vizioni i saj është që deri në vitin 2030 diaspora shqiptare të jetë një partner i institucionalizuar dhe bashkëkrijues i politikave të zhvillimit, me ndikim të matshëm në ekonomi, shoqëri, kulturë dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Një nga shtyllat kryesore të dokumentit lidhet me ekonominë. Strategjia synon mobilizimin sistematik të potencialit financiar, njerëzor dhe intelektual të diasporës, duke e konsideruar atë si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit. Për këtë parashikohen politika për nxitjen e investimeve të diasporës, lehtësimin e sipërmarrjes, krijimin e instrumenteve financiare dhe forcimin e lidhjeve mes profesionistëve shqiptarë jashtë vendit dhe institucioneve apo bizneseve në Shqipëri.
Dokumenti mbështetet edhe në të dhënat e INSTAT, sipas të cilave diaspora shqiptare numëron rreth 2.26 milionë persona, ku pjesa dërrmuese i përket grupmoshës aktive për punë. Kjo strukturë demografike konsiderohet një potencial i rëndësishëm për transferimin e kapitalit, teknologjisë, njohurive dhe eksperiencës profesionale drejt Shqipërisë.
Strategjia pranon se modeli i deritanishëm, i mbështetur kryesisht te remitancat, nuk është më i mjaftueshëm. Për këtë arsye synohet krijimi i mekanizmave që e lidhin diasporën me ekonominë shqiptare në mënyrë më të strukturuar, përmes investimeve produktive, rrjetëzimit profesional dhe pjesëmarrjes në ekosistemin e inovacionit. Dokumenti evidenton se deri tani rezultatet në tërheqjen e investimeve kanë mbetur modeste për shkak të mungesës së instrumenteve financiare të qëndrueshme, koordinimit institucional dhe një sistemi “one-stop-shop” për investitorët e diasporës. Pikërisht këto boshllëqe synohen të adresohen gjatë periudhës 2026-2030.
Në aspektin institucional, strategjia parashikon modernizimin e kuadrit ligjor, forcimin e koordinimit mes institucioneve qendrore dhe pushtetit vendor, si dhe ngritjen e një sistemi të integruar të statistikave dhe monitorimit për diasporën. Zbatimi do të koordinohet nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndërsa Agjencia Kombëtare e Diasporës do të ketë rolin e sekretariatit teknik për monitorimin dhe raportimin e progresit.
Një tjetër prioritet është përfshirja më e madhe e diasporës në jetën publike dhe institucionale. Strategjia mbështetet edhe mbi përvojën e zgjedhjeve të fundit, ku për herë të parë shqiptarët jashtë vendit votuan nga emigracioni, si dhe synon forcimin e mekanizmave të dialogut dhe përfaqësimit të diasporës në proceset vendimmarrëse.
Po aq rëndësi i kushtohet ruajtjes së identitetit kombëtar. Dokumenti parashikon zgjerimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë, zhvillimin e platformave digjitale të mësimit, certifikimin sipas standardeve evropiane, mbështetjen e botimeve dygjuhëshe dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në komunitetet jashtë vendit./ekofin.al

