Tregu i sigurimeve po vijon rritjen e qëndrueshme nga muaji në muaji, edhe pse zhvlerësimi i euros, ka sjellë ndikime në këtë treg, për shkak se një pjesë e produkteve tregtohen në monedhën evropiane. Megjithatë, sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, të ardhurat nga primet e shkruara bruto për periudhën janar-korrik 2024 arritën në rreth 14.2 miliardë lekë, ose afro 7.6% më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Po ashtu, konstatohet një rritje e konsiderueshme e numrit të kontratave të sigurimit. Për 7-mujorin rezulton të jenë lidhur mbi 870 mijë kontrata sigurime, për produkte të ndryshme, me një rritje prej 9.55% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Këtë vit, konstatohet gjithashtu se shoqëritë e sigurimit po paguajnë shumë më tepër dëme. Ka një rritje të konsiderueshme të dëmeve të paguara si në numër dhe kjo më së shumti për shkak të përdorimit të gjerë të Raportit Evropian të Aksidenteve, ashtu edhe në vlerë.
Bazuar në të dhënat e publikuara nga AMF, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve për janar-korrik 2024 arritën në afro 4.76 miliardë lekë, ose 21.5% më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Mbeten dominuese dëmet në sigurimin motorik. Shoqëritë e Jo-Jetës kanë paguar 3.4 miliardë lekë dëme në këtë kategori sigurimi, me një rritje prej 20.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Këto shifra reflektojnë edhe orientimin e tregut, i cili mbetet i dominuar nga sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.65% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 8.31% dhe risigurimi me 0.042%. /Ekofin.al
