Instituti i Statistikave (INSTAT) ka rishikuar në ulje ritmin e rritjes ekonomike të Shqipërisë për vitin 2025, duke e korrigjuar vlerësimin paraprak nga 3.79% në 3.66%. Rishikimi prej 0.13 pikësh përqindjeje vjen me publikimin e të dhënave gjysmëfinale për vitin 2025 dhe atyre përfundimtare për vitin 2024, sipas politikës së zakonshme të revizionimit të llogarive kombëtare.
Megjithëse ekonomia shqiptare vijon të ruajë një ritëm relativisht të qëndrueshëm zgjerimi, norma prej 3.66% rezulton gjithashtu më e ulët krahasuar me rritjen prej 4.03% të regjistruar në vitin 2024, duke sinjalizuar një ngadalësim të moderuar të aktivitetit ekonomik. Në vlerë nominale, Prodhimi i Brendshëm Bruto arriti në 2.65 trilionë lekë gjatë vitit 2025, nga 2.52 trilionë lekë një vit më parë.
Të dhënat tregojnë se motori kryesor i ekonomisë mbetet sektori i shërbimeve, i cili përfaqëson 49.1% të PBB-së dhe u zgjerua me 5.83% në terma realë. Kontributin më të madh pozitiv e dha administrata publike, arsimi dhe shëndetësia me 1.65 pikë përqindje, e ndjekur nga taksat neto mbi produktet me 1.16 pikë, ndërtimi me 0.50 pikë dhe tregtia, transporti, akomodimi e shërbimet ushqimore me 0.47 pikë përqindje. Pozitiv ishte edhe ndikimi i aktiviteteve të pasurive të paluajtshme, që kontribuan me 0.42 pikë përqindje.
Nga ana tjetër, dy sektorë tradicionalisht të rëndësishëm për ekonominë shqiptare kanë ushtruar presion mbi ritmin e rritjes. Industria u tkurr me 3.72%, duke hequr 0.41 pikë përqindje nga rritja ekonomike, ndërsa bujqësia, pyjet dhe peshkimi ranë me 2.5%, duke dhënë një kontribut negativ prej 0.38 pikë përqindjeje.
Edhe nga këndvështrimi i shpenzimeve, ekonomia u mbështet kryesisht nga konsumi. Konsumi final, që përbën mbi 82% të PBB-së, u rrit me 4.66% në terma realë dhe kontribuoi me 3.79 pikë përqindje në zgjerimin ekonomik. Formimi Bruto i Kapitalit Fiks, një tregues i investimeve, u rrit me 3.3%, ndërsa eksportet e mallrave dhe shërbimeve shënuan një rritje reale prej 7.42%, më të lartë se ajo e importeve, të cilat u zgjeruan me 3.62%.
INSTAT sqaron se rishikimi i të dhënave është pjesë e procedurës standarde të llogarive kombëtare, e cila bazohet në përditësimin e burimeve statistikore dhe administrative, si pasqyrat financiare të ndërmarrjeve, të dhënat fiskale, statistikat monetare, bilancin e pagesave dhe informacionin mbi tregtinë e jashtme. Për këtë arsye, vlerësimet paraprake të rritjes ekonomike mund të korrigjohen me publikimin e të dhënave më të plota./ekofin.al

