Shqipëria renditet mbi mesataren e Evropës Juglindore për jetëgjatësinë e shëndetshme në lindje, sipas raportit “South East Europe 2030 Strategy – State of Play in 2025”.
Të dhënat, të bazuara në vlerësimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për vitin 2021, tregojnë se shqiptarët pritet të jetojnë mesatarisht 66.7 vite në gjendje të mirë shëndetësore.
Ky tregues, i njohur si HALE, nuk mat vetëm sa gjatë jetojnë njerëzit, por sa vite pritet të jetojnë pa kufizime të mëdha shëndetësore. Për këtë arsye, ai konsiderohet një tregues më i plotë se jetëgjatësia e zakonshme, sepse lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e jetës.
Në krahasim me mesataren e Evropës Juglindore, Shqipëria del më mirë. Mesatarja rajonale është 65.2 vite, ndërsa Shqipëria arrin 66.7 vite. Kjo e vendos vendin mbi disa shtete të rajonit, përfshirë Bosnjë-Hercegovinën me 65.0 vite, Malin e Zi me 65.2 vite, Turqinë me 65.2 vite, Serbinë me 63.9 vite, Rumaninë me 63.9 vite, Maqedoninë e Veriut me 63.7 vite, Bullgarinë me 62.4 vite dhe Moldavinë me 61.2 vite.
Shqipëria qëndron shumë pranë Kroacisë, e cila ka 66.8 vite jetëgjatësi të shëndetshme. Diferenca mes tyre është vetëm 0.1 vite. Megjithatë, vendi mbetet pas Greqisë, ku jetëgjatësia e shëndetshme është 68.6 vite, dhe Sllovenisë, që kryeson rajonin me 69.4 vite. Për Kosovën, raporti nuk jep të dhëna në këtë tregues.
Të dhënat tregojnë edhe dallime mes burrave dhe grave. Në Shqipëri, jetëgjatësia e shëndetshme për burrat është 65.1 vite, ndërsa për gratë 67.8 vite. Kjo do të thotë se gratë parashikohet të jetojnë rreth 2.7 vite më shumë në shëndet se burrat.
Edhe në këtë ndarje, Shqipëria qëndron mbi mesataren rajonale. Në Europën Juglindore, jetëgjatësia e shëndetshme për burrat është 63.7 vite, ndërsa për gratë 66.6 vite. Pra, Shqipëria është 1.4 vite mbi mesataren rajonale për burrat dhe 1.2 vite mbi mesataren për gratë.
Krahasimi me vendet e tjera tregon se burrat në Shqipëri kanë jetëgjatësi të shëndetshme më të lartë se në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi, Turqi, Serbi, Rumani, Maqedoni të Veriut, Bullgari dhe Moldavi. Por mbeten pas Kroacisë me 65.7 vite, Greqisë me 67.8 vite dhe Sllovenisë me 67.9 vite.
Për gratë, Shqipëria ka 67.8 vite jetëgjatësi të shëndetshme, më shumë se mesatarja rajonale dhe më shumë se shumica e vendeve të Europës Juglindore. Megjithatë, gratë në Shqipëri mbeten pas Sllovenisë me 70.9 vite, Greqisë me 69.3 vite dhe Kroacisë me 68.5 vite. /ekofin.al

