Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, tri projektligje të propozuara, në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Projektligjet janë pjesë e Kapitullit 6 të negociatave me Bashkimin Evropian, që lidhet me të drejtën e shoqërive, dhe synojnë harmonizimin e legjislacionit shqiptar me acquis communautaire në këtë fushë.
Konkretisht, u miratuan projektligji “Për statutin e shoqërive evropiane”, projektligji “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit” dhe projektligji “Për grupimet ekonomike me interes evropian”.
Këto akte krijojnë për herë të parë një kuadër të plotë ligjor të harmonizuar me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe i hapin rrugë forcimit të bashkëpunimit mes shoqërive tregtare shqiptare dhe atyre europiane.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë deklaratës për mediat, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave u shpreh se këto ndryshime ligjore janë pjesë e një procesi më të gjerë integrimi dhe barazimi të kushteve për biznesin shqiptar me atë europian.
“Tri projektligjet, shumë të rëndësishme, lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Janë tre projektligje që janë pjesë e Kapitullit 6, i cili lidhet me shoqëritë europiane. Ne kemi një paketë prej nëntë ligjesh që do të garantojnë që shoqëritë tregtare shqiptare të kenë të njëjtat kushte dhe mundësi si shoqëritë europiane”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.
Ibrahimaj shtoi, se kuadri i ri ligjor krijon për herë të parë një bazë të plotë rregullatore të përafruar me standardet evropiane.
“Ligji “Për statutin e shoqërive europiane” krijon një kuadër ligjor që më parë nuk ka ekzistuar dhe është në përputhje me legjislacionin europian, duke hapur rrugën për një bashkëpunim më të mirë të shoqërive shqiptare me ato europiane. Ligji i dytë lidhet me shoqëritë europiane të bashkëpunimit, ndërsa i treti me grupimet ekonomike me interes europian”, tha Ibrahimaj.
Ministrja njoftoi se, projektligjet pritet të kalojnë për miratim në Kuvend gjatë muajit korrik, në përputhje me kalendarin e dakordësuar me Bashkimin Evropian.

