Komisioni për Çështjet Ekonomike dhe Monetare i Parlamentit Evropian miratoi të martën euron digjitale, një projekt i shumëpritur me të cilin BE-ja synon të ulë varësinë nga sistemet e pagesave të kontrolluara nga SHBA.
Monedha digjitale pritet të nisë në vitin 2029 dhe shihet si pjesë e përpjekjeve për të forcuar autonominë evropiane në pagesa. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore Evropiane, Visa dhe Mastercard zënë 61% të pagesave me kartë në zonën euro dhe pothuajse të gjitha transaksionet ndërkufitare me kartë.
Euroja digjitale do të jetë një formë digjitale e parasë së bankës qendrore, e emetuar dhe e garantuar nga BQE. Ajo nuk synon të zëvendësojë paranë fizike apo shërbimet bankare ekzistuese, por t’i plotësojë ato.
Sipas propozimit, konsumatorët do të mund të mbajnë euro digjitale në një portofol të posaçëm, me një kufi mbajtjeje që ende nuk është përcaktuar. Sistemi do të lejojë pagesa online dhe offline dhe pritet të ofrojë nivel të lartë privatësie.
BQE do të ofrojë infrastrukturën bazë, ndërsa bankat tregtare dhe ofruesit e shërbimeve të pagesave do t’ua ofrojnë këtë shërbim klientëve. Tregtarët pritet të paguajnë tarifa më të ulëta se ato të kartave aktuale.
Parlamenti Evropian pritet ta formalizojë qëndrimin e komisionit në një votim plenar në Strasburg në fillim të korrikut. Më pas do të nisin negociatat me 27 shtetet anëtare të BE-së, me synimin për të arritur një marrëveshje përfundimtare para fundit të vitit. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al

