Sektori bankar ka shënuar vitin më aktiv deri më sot në tregun e kapitalit, duke emetuar 12.5 miliardë lekë letra me vlerë gjatë vitit 2025 për të përmbushur kërkesat rregullatore të kapitalit dhe standardin europian MREL, që synon forcimin e aftësisë së bankave për të përballuar situata krize.
Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë mbi ecurinë e MREL për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, vlera e emetimeve është rritur me rreth 36% krahasuar me vitin 2024, kur bankat emetuan 9.2 miliardë lekë obligacione. Vetëm gjatë gjysmës së dytë të vitit 2025, emetimet arritën në 7.1 miliardë lekë.
Të dhënat tregojnë se pjesa dërrmuese e këtij aktiviteti është realizuar nga pesë bankat që i nënshtrohen kërkesës për MREL, të cilat përfaqësojnë mbi 90% të emetimeve totale të sistemit bankar.

Raporti evidenton se sektori po largohet gradualisht nga mbështetja ekskluzive te kapitali aksionar dhe po përdor gjithnjë e më shumë instrumente të tregut të kapitalit për të siguruar burimet financiare të kërkuara nga rregullatorët. Nga 12.5 miliardë lekë emetime të realizuara gjatë vitit 2025, rreth 5 miliardë lekë përbëhen nga borxh i varur, ndërsa 7.5 miliardë lekë janë obligacione të pagarantuara, të njohura si detyrime të pranueshme për MREL.
Banka e Shqipërisë vlerëson se ky zhvillim po kontribuon në krijimin e një tregu më të thelluar të kapitaleve në vend, ndërsa njëkohësisht forcon aftësinë e bankave për t’u rikapitalizuar në rast vështirësish financiare, pa pasur nevojë për mbështetje publike.
Monedha vendase po fiton terren
Një nga zhvillimet më domethënëse të vitit 2025 lidhet me rikthimin e lekut si monedha kryesore e emetimeve.
Sipas raportit, emetimet në lekë arritën në 6.87 miliardë lekë, duke përfaqësuar pjesën më të madhe të tregut. Në të njëjtën kohë, emetimet në euro kapën vlerën e 5.4 miliardë lekëve, ndërsa ato në dollarë amerikanë mbetën modeste, në rreth 216 milionë lekë.
Për bankat që i nënshtrohen MREL, rreth 59% e emetimeve janë realizuar në monedhën kombëtare, ndërsa 41% në euro dhe dollarë. Ky është një ndryshim i dukshëm krahasuar me vitet e mëparshme, kur pjesa më e madhe e obligacioneve emetoheshin në valutë.
Vetëm për obligacionet e pagarantuara, të cilat përdoren drejtpërdrejt për financimin e MREL, emetimet në lekë përbënin 76% të totalit gjatë vitit 2025. Në vitin 2024, pesha e emetimeve në valutë ishte 69%, ndërsa në vitin 2023 këto instrumente ishin emetuar ekskluzivisht në monedha të huaja.

Investitorët vendas mbeten blerësit kryesorë
Raporti evidenton gjithashtu se investitorët vendas vazhdojnë të mbështesin fuqishëm tregun e obligacioneve bankare.
Gjatë vitit 2025, investitorët blenë rreth 73% të vlerës totale të titujve të miratuar për emetim, nga 70% një vit më parë. Për obligacionet e emetuara nga bankat MREL, niveli i nënshkrimit arriti në 77%, duke treguar një interes të lartë të tregut për këto instrumente.
Më e rëndësishmja, individët dominojnë pothuajse plotësisht këtë treg. Sipas Bankës së Shqipërisë, 99.6% e titujve të emetuar zotërohen nga investitorë individualë, ndërsa pesha e personave juridikë mbetet minimale.
Kosto e qëndrueshme financimi
Pavarësisht rritjes së emetimeve, kostoja e financimit për bankat ka mbetur relativisht e qëndrueshme.
Norma mesatare e interesit për obligacionet në lekë ka mbetur pranë nivelit 4.5%, e pandryshuar krahasuar me vitin 2024. Ndërkohë, financimi në valutë është bërë disi më i kushtueshëm, veçanërisht në dollarë amerikanë, ku norma mesatare e interesit është rritur në 5%, nga 3.5% një vit më parë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo ecuri pasqyron stabilitetin e tregut financiar vendas dhe perceptimin e kontrolluar të rrezikut për instrumentet e emetuara nga sektori bankar.
Obligacionet e reja po krijojnë një treg të ri financiar
Raporti arrin në përfundimin se kapaciteti i tregut shqiptar të kapitalit për të absorbuar emetimet e bankave mbetet i kënaqshëm, ndërsa maturitetet e obligacioneve po zgjerohen gradualisht.
Obligacionet e pagarantuara të përdorura për financimin e MREL emetohen kryesisht me afate maturimi 3 deri në 5 vjet, ndërsa instrumentet e borxhit të varur vijojnë të kenë afat maturimi 7-vjeçar. /ekofin.al

