Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare arkëtoi rreth 409.95 milionë lekë gjatë vitit 2025 nga pagesat e kryera prej sipërmarrësve të komunikimeve elektronike dhe operatorëve postarë. Shuma e arkëtuar rezultoi më e lartë se plani fillestar, duke arritur në 103% të programit vjetor, ndërsa niveli i arkëtimit kundrejt faturimit ishte rreth 99.7%.
Sipas Raportit Vjetor 2025 të AKEP, gjatë vitit u faturuan rreth 411 milionë lekë, nga një plan prej 399.9 milionë lekësh. Krahasuar me vitin 2024, faturimet u rritën me rreth 4.5%, ndërsa arkëtimet me rreth 5%. Të dhënat tregojnë se pagesat e realizuara në vitin 2025 ishin niveli më i lartë i periudhës 2017-2025, ku një vit më parë ishin arkëtuar 390 milionë lekë.
Mbikëqyrja e tregut dhe frekuencat sollën pjesën më të madhe të të ardhurave
Burimi kryesor i të ardhurave për AKEP mbetet pagesa nga mbikëqyrja e tregut të komunikimeve elektronike. Nga ky zë u faturuan dhe u arkëtuan 188 milionë lekë, me realizim 100%. Ndërkohë, nga mbikëqyrja e tregut postar u arkëtuan rreth 12.2 milionë lekë, po ashtu me realizim të plotë.
Zëri i dytë më i madh ishte ai i pagesave për caktimin dhe përdorimin e frekuencave. Gjatë vitit 2025, AKEP faturoi rreth 116.2 milionë lekë nga frekuencat dhe arkëtoi rreth 115.6 milionë lekë. Kjo përfaqëson një realizim prej rreth 101.13% të pagesave për frekuenca dhe një nivel arkëtimi prej 99.48% të faturimeve. Në të njëjtën kohë, AKEP evidenton vijimin e rënies së faturimit nga lidhjet fikse, pasi në fund të vitit 2025 ONE revokoi 53 lidhje fikse, ndërsa Vodafone revokoi mbi 69 lidhje fikse.
Domain-et tejkaluan ndjeshëm planin
Një nga zërat me rritjen më të fortë ishte pagesa për domain. Për vitin 2025, plani për këtë zë ishte 9.5 milionë lekë, ndërsa faktikisht u faturuan dhe u arkëtuan 13.8 milionë lekë, ose 145% e planit. Sipas AKEP, rritja erdhi kryesisht nga kërkesat më të larta të regjistrarëve për blerje kreditesh dhe për rinovim apo regjistrim domain-esh.
Të ardhurat nga numeracioni arritën në 25.9 milionë lekë të arkëtuara, nga 26.3 milionë lekë të faturuara. Ndërsa pagesat për koston e shërbimit të portabilitetit të numrit ishin 24 milionë lekë, me arkëtim 100% të vlerës së programuar.
AKEP arkëtoi 30.3 milionë lekë si agjent tatimor
AKEP ka përfituar edhe komision si agjent tatimor. Ky zë ishte planifikuar në nivelin 25.6 milionë lekë, por u realizua në 30.3 milionë lekë, ose rreth 118% e programit. Sipas raportit, nga tarifat për përdorimin e spektrit të frekuencave u faturuan rreth 550 milionë lekë, u arkëtuan 541 milionë lekë, ndërsa rreth 511 milionë lekë u derdhën në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë.
677.7 milionë lekë kaluan në buxhetin e shtetit nga frekuencat
Përveç pagesave që lidhen drejtpërdrejt me AKEP, raporti evidenton edhe detyrimet e shlyera nga operatorët celularë për buxhetin e shtetit. Gjatë vitit 2025, ONE Albania dhe Vodafone Albania shlyen plotësisht detyrimet për autorizimet individuale në brezat 3400-3800 MHz, si edhe për rinovimin e autorizimit individual në brezin 900-1800 MHz për ONE. Totali i arkëtuar dhe i kaluar për buxhetin e shtetit ishte 677.7 milionë lekë.
Në euro, ONE Albania pagoi 1.45 milionë euro për brezin 900-1800 MHz dhe 2.718 milionë euro për brezin 3400-3800 MHz. Vodafone Albania pagoi 2.718 milionë euro për brezin 3400-3800 MHz. Në total, pagesat për brezin 3400-3800 MHz arritën në 5.436 milionë euro./ekofin.al


