Në Shqipëri ekziston një mospërputhje mes arsimit dhe tregut të punës dhe kjo përben një nga pengesat kryesore për zhvillimin industrial të vendit.
Sipas Strategjisë Kombëtare të Industrisë 2026-2030 Shqipëria përballet me një problem strukturor: shkollat, universitetet dhe programet e trajnimit nuk po përgatisin në mënyrë të mjaftueshme aftësitë që kërkojnë ndërmarrjet. Kjo dobëson produktivitetin, ngadalëson adoptimin e teknologjive të avancuara dhe nxit largimin e kapitalit njerëzor.
Rreth 8% e të diplomuarve në Shqipëri janë në fushën e ICT-së, mbi mesataren e BE-së prej 4.5%. Por vetëm rreth 1% e të punësuarve janë specialistë ICT, krahasuar me 3% në rajon dhe 5% në BE. Kjo tregon se vendi prodhon diploma në teknologji, por ekonomia nuk arrin t’i përthithë këto aftësi në punësim real.
Problemi lidhet edhe me dobësinë e arsimit profesional dhe formimit profesional, të cilat sipas strategjisë mbeten të shkëputura nga sektori industrial dhe nuk reflektojnë mjaftueshëm nevojat reale të ndërmarrjeve. Bashkëpunimi mes shkollave, universiteteve dhe industrisë vlerësohet si i kufizuar dhe jo i institucionalizuar, ndërsa struktura e ekonomisë, e dominuar nga mikro-ndërmarrjet dhe sektorë me vlerë të ulët të shtuar, kufizon kërkesën për aftësi të avancuara.
Për pasojë krijohet një cikël negativ: bizneset nuk kërkojnë mjaftueshëm aftësi të larta, arsimi nuk përshtatet shpejt me nevojat e industrisë, ndërsa të rinjtë e kualifikuar rrezikojnë të mos gjejnë vende pune të përshtatshme ose të emigrojnë. Strategjia e lidh këtë drejtpërdrejt me nivelin e lartë të emigrimit të talenteve.
Për të adresuar këtë problem, qeveria synon që deri në vitin 2030 sistemet e arsimit, AFP-së dhe të nxënit gjatë gjithë jetës të jenë më të përafëruara me kërkesat për aftësi të ekosistemeve industriale prioritare. Programet e trajnimit të lidhura me sektorët do të synojnë aftësitë e gjelbra dhe aftësitë digjitale si fusha prioritare brenda secilit ekosistem industrial.
Masa e dytë lidhet me modernizimin e kurrikulave të arsimit profesional dhe arsimit të lartë. Strategjia synon që deri në vitin 2030 të paktën 70% e programeve përkatëse të arsimit profesional, trajnimit dhe të nxënit gjatë gjithë jetës të jenë të përafëruara me nevojat e ekosistemeve industriale prioritare.
Po deri në vitin 2030 parashikohet që të jenë përditësuar ose krijuar 30 kurrikula apo module të reja, të lidhura me aftësitë digjitale, të gjelbra dhe teknike.
Një tjetër masë është zhvillimi i partneriteteve të udhëhequra nga industria për trajnimin dhe të nxënit në vendin e punës.
Me këto masa, qeveria synon të lidhë më mirë ndërmarrjet me institucionet e arsimit dhe formimit profesional, përmes praktikave profesionale, stazheve dhe programeve të trajnimit në kompani./ekofin.al

