Administrata Tatimore ka realizuar kompensimin automatik të tepricës kreditore me detyrimet tatimore të papaguara, në kuadër të zbatimit të ligjit nr. 86/2025 për faljen e detyrimeve tatimore.
Sipas të dhënave zyrtare, nga ky proces kanë përfituar 13,408 tatimpagues, ndërsa vlera totale e kompensimeve ka arritur në 10.4 milionë euro. Në total janë kryer 86,773 transaksione kompensimi.
Ky mekanizëm u mundëson bizneseve dhe individëve që kanë pasur teprica kreditore pranë administratës tatimore t’i përdorin ato automatikisht për të shlyer detyrimet e papaguara, pa qenë e nevojshme të paraqesin kërkesa apo të ndjekin procedura shtesë administrative.
Administrata Tatimore thekson se procesi është realizuar në mënyrë automatike, si pjesë e masave të parashikuara nga ligji i ri për faljen e detyrimeve tatimore, me synimin për të lehtësuar barrën financiare të tatimpaguesve dhe për të përmirësuar administrimin e detyrimeve fiskale.
Sipas institucionit, zbatimi i ligjit do të vijojë edhe në fazat e tjera të parashikuara, duke mundësuar reduktimin e detyrimeve tatimore për mijëra subjekte dhe duke thjeshtuar procedurat për përfituesit.

