Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri vijoi të shënojë rritje të çmimeve edhe gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2025, por ritmi i zgjerimit po tregon shenja ngadalësimi, veçanërisht në Tiranë. Të dhënat e vrojtimit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se rritja e fortë e çmimeve në rang vendi është mbështetur kryesisht nga zonat bregdetare, ndërsa kryeqyteti po hyn në një fazë stabilizimi.
Sipas Indeksit Fischer të Çmimit të Banesave, çmimet në rang kombëtar u rritën me 11.7% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 dhe me 28% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, Banka e Shqipërisë thekson se kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë pronat në zonat bregdetare, ku kërkesa vijon të mbetet shumë e lartë.
Në Tiranë, situata paraqitet ndryshe. Indeksi i çmimeve për kryeqytetin rezultoi pothuajse i pandryshuar krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit, ndërsa në terma vjetorë rritja u kufizua në vetëm 4.4%. Ky është një ritëm dukshëm më i moderuar se ai i viteve të fundit, kur tregu i banesave në Tiranë shënonte rritje dyshifrore.
Madje, vrojtimi evidenton një zhvillim të pazakontë për tregun e kryeqytetit. Për herë të parë pas një periudhe të gjatë rritjesh të pandërprera, agjentët e pasurive të paluajtshme raportojnë ulje të lehtë të çmimeve për pronat e shitura si në zonat qendrore ashtu edhe në periferi të Tiranës, krahasuar me nivelet e raportuara në gjashtëmujorin e mëparshëm. Në të njëjtën kohë, për pronat jashtë qytetit është raportuar një rritje e lehtë e çmimeve.
Ndërkohë, aktiviteti i tregut ka shënuar rënie, kjo ndikuar edhe nga pritshmëritë për nisjen e procesit të rivlerësimit, që mbeti pezull për muaj të tërë. Numri i subjekteve që realizuan shitje mbeti pothuajse i pandryshuar, por numri total i pronave të shitura zbriti në 1,273 njësi, ose 35% më pak se 1,959 pronat e raportuara në gjashtëmujorin e parë të vitit. Mesatarisht, çdo agjent shiti rreth 8 prona gjatë periudhës, nga 11 prona që rezultonte mesatarja në pjesën e parë të vitit.
Pavarësisht rënies së volumit të shitjeve, banesat po shiten më shpejt. Koha mesatare e nevojshme për të finalizuar një shitje në nivel kombëtar ra në 9.1 muaj, nga 11.6 muaj më parë. Në Tiranë, ulja ishte edhe më e fortë, me kohën mesatare të shitjes që zbriti në 8.1 muaj, nga 11.1 muaj në vrojtimin paraardhës.
Një tjetër tregues që sinjalizon kërkesë ende të fortë është rënia e vazhdueshme e stokut të pronave të pashitura. Banka e Shqipërisë vëren se ky fenomen vazhdon prej vitit 2016, duke treguar se oferta po absorbohet gradualisht nga tregu.
Sipas të dhënave të vrojtimit, rreth 46% e agjentëve raportuan se shitjet janë realizuar me çmim të njëjtë ose deri në 5% më të ulët se çmimi fillestar i kërkuar, një tregues që blerësit vijojnë të pranojnë nivele relativisht të larta çmimesh. Gjithashtu, 61% e pronave të shitura janë financuar me kredi bankare, ndërsa në 38% të rasteve kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës së pronës.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë sugjerojnë se pas viteve me rritje shumë të forta, tregu i banesave në Tiranë po hyn në një fazë normalizimi, ndërsa motori kryesor i rritjes së çmimeve në nivel kombëtar po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt zonave bregdetare, të nxitura nga kërkesa për turizëm, investime dhe rezidenca të dyta. /ekofin.al


