Kanë shënuar rënie të gjitha produktet hidrokarbure. Nafta po shitet këtë javë me deri 5 lekë për litër më pak. Ulja është jo shumë e ndjeshme, por të bën përshtypje fakti se kjo ulje realizohet pothuajse nga të gjithë operatorët dhe në të njëjtën kohë!
Po cilët janë faktorët që kanë ndikuar?
Duke iu referuar së pari Bursës BREND të Londrës, për të parë ecurinë e kontratave paraprake për naftën e përpunuar, vihet re se nafta e papërpunuar ka shënuar rënie që nga shtatori i 2023, por rënia e korrik-gusht 2024 është ajo që ka sjellë edhe lëvizjet e fundit në tregun e karburanteve me pakicë.
Por Shqipëria ndjek trendin e Bursës Platz të Mesdheut. Nga të dhënat e zhdoganimit të naftës nga kjo bursë, përfshirë edhe deklaratat doganore të subjekteve importuese, nafta në Shqipëri është zhdoganuar nga 830 USD për ton në 1 korrik 2024, në 783 USD për ton në 31 Korrik.
Trendi rënës ka vijuar edhe në Gusht. Në 2 Gusht nafta është zhdoganuar me 779 USD/Ton, për të arritur në dy ditët e fundit në vlerën 756 USD për ton. Çmimet e mësipërme kanë të përfshirë edhe premion prej 30 USD/Ton. Pra, çmimi në Bursën e Mesdheut për dy muajt e fundit është 74 dollarë më pak për një ton naftë të zhdoganuar.
Një tjetër tregues është Dollari Amerikan, valutë me të cilën tregtohen karburantet. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, kursi i këmbimit me monedhën shqiptare ka rënë ndjeshëm.
Rënia është e ndjeshme nga 1 korrik 2023 deri në gusht të 2024. Pra nga 104 USD/Lekë deri në rreth 90 USD/Lekë. Ose më shumë se 13 për qind.
Këto të dhëna dhe analiza e tyre flasin për një mungesë të uljes së çmimit në treg dhe fitime të ndjeshme, që vijnë nga ky mosndryshim, sipas tregut ndërkombëtar të këtyre produkteve. As ulja në maj dhe as ulja në gusht, nuk pasqyrojnë tregun real të karburanteve në Shqipëri. Dhe kjo duket qartë nga shifrat në zhdoganim dhe në kursin e këmbimit.
