Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se puna për përcaktimin e çmimeve të referencës së pronave në bashkitë e vendit, përveç Tiranës ku ato janë miratuar tashmë, është ende në proces, ndërsa theksoi se kjo nuk pengon vijimin e procesit të rivlerësimit të pasurive.
Gjatë konferencës për shtyp mbi treguesit makroekonomikë dhe fiskalë të vendit, Malaj tha se procesi është më kompleks nga sa parashikohej.
“Grupi i punës është ende duke punuar. Procesi është më kompleks nga sa e parashikonim, pasi është një proces që përfshin edhe bashkitë”, u shpreh ministri.
Ai bëri të ditur se sapo të përfundojë puna teknike, çmimet e reja të referencës do të bëhen publike.
“Në momentin që do të kemi gati këto çmime reference do t’i ndajmë me ju”, tha Malaj.
Ministri theksoi se vonesa në miratimin e çmimeve të referencës për bashkitë nuk ndikon në zbatimin e procesit të rivlerësimit të pasurive.
“Ky proces nuk e pengon procesin e rivlerësimit. Nëse ka individë që duan të bëjnë rivlerësimin e pronës edhe në ato zona ku nuk kanë dalë ende çmimet e referencës, ata mund ta bëjnë me një vlerësues privat. Vlerësuesi mund të përcaktojë vlerën e pronës dhe më pas të kryhet rivlerësimi pranë agjencisë përkatëse të Kadastrës”, deklaroi ai.
Sipas Malajt, çmimet e referencës që do të miratohen për territorin e vendit do të shërbejnë si vlera minimale orientuese si për administratën, ashtu edhe për qytetarët.
“Çmimet minimale të referencës që do të vendosen në territorin shqiptar, përveç Bashkisë së Tiranës, do të jenë çmime reference si për administratën, ashtu edhe për ata individë që nuk duan të kryejnë rivlerësim, por duan të bazohen mbi to për të përcaktuar vlerën e pronës së tyre”, tha ministri.
Duke folur për ecurinë e procesit të rivlerësimit, Malaj bëri të ditur se interesi i qytetarëve ka qenë i lartë dhe se të ardhurat e realizuara deri tani kanë tejkaluar pritshmëritë.
“Në vetëm dy muaj nga momenti i nisjes së procesit, të ardhurat e realizuara në buxhetin e shtetit kanë arritur në 3,9 miliardë lekë, ose rreth 40 milionë euro”, tha ai.
Sipas ministrit, këto të ardhura dëshmojnë interesin e qytetarëve për procesin dhe ndikimin e tij pozitiv në financat publike.
Malaj kujtoi se gjatë procesit të fundit të rivlerësimit, të zhvilluar në vitin 2022, të ardhurat totale të realizuara ishin rreth 5,6 miliardë lekë.

