Ndërsa konsumatorët shqiptarë vijojnë të përballen me çmime të larta për shumë produkte bazë, të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se kostot e importeve nuk po ushtrojnë më të njëjtin presion mbi ekonominë si një vit më parë.
Sipas Institutit të Statistikave, Indeksi i Çmimeve të Importit në tremujorin e parë të vitit 2026 shënoi një rënie prej 0.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 107.5 pikë, me vit bazë 2021=100. Në pamje të parë, lajmi mund të interpretohet si një sinjal pozitiv për ekonominë, pasi Shqipëria mbetet një vend i varur nga importet për një pjesë të konsiderueshme të mallrave dhe lëndëve të para që konsumon.
Megjithatë, shifrat kërkojnë një lexim më të kujdesshëm.
Rënia e indeksit nuk do të thotë automatikisht se çmimet në treg do të ulen. Në fakt, ndryshimi prej vetëm 0.2% konsiderohet minimal dhe më shumë flet për një stabilizim të kostove të importit sesa për një trend të fortë rënës.
Pesha kryesore në këtë zhvillim vjen nga energjia. Sektori i energjisë elektrike, gazit, avullit dhe ajrit të kondicionuar regjistroi një ulje prej 2.4% të çmimeve të importit krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, industria nxjerrëse shënoi një rënie prej 0.3%, ndërsa industria përpunuese vetëm 0.1%.
Këto të dhëna sugjerojnë se presionet e forta inflacioniste që goditën ekonominë shqiptare pas krizës energjetike dhe turbulencave globale të viteve të fundit janë zbutur ndjeshëm. Për bizneset, kjo përkthehet në kosto më të parashikueshme për furnizimin me lëndë të para dhe mallra të importuara.
Por pyetja që shtrohet është: nëse importet po kushtojnë më pak, pse konsumatori nuk po sheh ulje të ndjeshme të çmimeve?
Përgjigjja lidhet me faktin se çmimi i importit është vetëm hallka e parë e zinxhirit. Nga porti deri te rafti i supermarketit, produkti përballet me një sërë kostosh të tjera: transportin, magazinimin, energjinë, qiratë, pagat dhe marzhet tregtare. Nëse këta faktorë vijojnë të rriten, efekti i një uljeje të lehtë të kostove të importit mund të neutralizohet plotësisht.
Madje, vetë INSTAT vëren se krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2025, indeksi i çmimeve të importit ka shënuar një rritje shumë të lehtë, çka tregon se tendenca rënëse nuk është e konsoliduar dhe se ekonomia po hyn në një fazë stabilizimi më shumë sesa uljeje të çmimeve. /ekofin.al


