Bordi i Transparencës ka vendosur uljen e çmimit të naftës me 3 lekë për litër në mbledhjen e tij të radhës, të zhvilluar më 5 Qershor 2026. Ky vendim reflekton lëvizjet e fundit në tregun e karburanteve dhe synon mbrojtjen e konsumatorëve. Çmimet e reja tavan do të hyjnë në fuqi sot, më datë 5 Qershor, duke filluar nga ora 13:00, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit.
Sipas vendimit zyrtar, kufijtë maksimalë të shitjes së karburanteve janë përcaktuar si më poshtë:
• Gazoil (Naftë) SSH EN 590: Çmimi i shitjes me pakicë do të jetë jo më shumë se 192 lekë/litri, ndërsa ai me shumicë jo më shumë se 180 lekë/litër.
• Benzinë SSH EN: Çmimi i shitjes me pakicë do të jetë jo më shumë se 172 lekë/litri, ndërsa ai me shumicë jo më shumë se 160 lekë/litër.
• Gazoil për peshkim: Duke u bazuar në përjashtimet ligjore nga taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe akciza, çmimi i shitjes për sektorin e peshkimit është caktuar 96 lekë/litër.
Bordi u ka tërhequr vëmendjen të gjithë operatorëve të shitjes me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të këtyre çmimeve. Autoritetet kanë bërë të ditur se për çdo shkelje të konstatuar nga operatorët do të merret masa e menjëhershme e pezullimit të aktivitetit.
Në një deklaratë të përbashkët, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë rikonfirmuan angazhimin e tyre për të mbrojtur interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe për të garantuar parimet e konkurrencës së ndershme në treg./ekofin.al


1 Comment
Shqiperia Prodhues NAFTE dhe me Cmimet me te larta ne Bote, na keni mbyte me TAKSA Maskarenj