Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se është ulur numri i transaksioneve përmes telefonit gjatë muajit qershor. Rreth 746 mijë është numri i transaksioneve të kryera me home banking, vlera e të cilave kap një shifër prej 190 milionë lekësh. Në gjysmën e parë të vitit janë realizuar 4.3 milionë veprime bankare përmes internetit nga shtëpia, ku shuma totale e këtyre transaksioneve arriti në 1.1 miliardë lekë në fund të qershorit.
Gjatë qershorit janë kryer gati 51 mijë transaksione më pak me home banking, ndërsa dhe vlera e tyre është ulur me 19 milionë lekë. Për sa i përket numrit të transaksioneve, kjo është rënia më e madhe e regjistruar që prej fillimit të vitit, ndërsa për sa i takon vlerës së tyre, një rënie e tillë, por më e vogël, është shënuar edhe në muajin prill.
Kontributin më të madh në rritjen e numrit dhe vlerës totale të transaksioneve në gjashtëmujorin e parë të vitit, e ka dhënë muaji maj, ku nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë rezulton se atëherë qytetarët dhe bizneset e kanë përdorur më tepër internetin për të kryer pagesa dhe veprime të tjera bankare.
