Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, energjia e prodhuar nga centralet fotovoltaike pësoi rritje. Sipas të dhënave zyrtare, në total u gjeneruan rreth 208 000 mWh energji apo 169 mijë mWh më shumë se 6-mujori i vitit të kaluar.
Kjo rritje vjen sidomos pas hyrjes në prodhim të centralit diellor të Karavastasë, që ka gjeneruar dhe pjesën dërrmuese të energjisë. Për periudhën janar–qershor ky impiant prodhoi 135,653 mWh apo 3.1% të energjisë totale të gjeneruar në vend. Gjithashtu, në muajin maj të këtij viti ka hyrë në prodhim edhe centrali Blue 1, që është një prodhus i pavarur energjie. Sipas të dhënave zyrtare në muajt maj–qershor nga ky central u prodhua 14 mijë mWh energji.
Hyrja në prodhim e këtyre impinateve ka rritur edhe peshën e energjisë diellore, në raport me totalin e gjeneruar nga të gjithë burimet energjetike në vend. Më konkretisht, për periudhën 6-mujore energjia diellore e prodhuar nga të gjithë impiantet fotovoltaike arriti në 4.8% të totalit, shifra më e lartë e raportuar ndonjëherë.
