Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po shqyrton financimin me deri në 53 mln euro për ndërtimin e dy impianteve fotovoltaike dhe një sistemi të magazinimit të energjisë në Shqipëri, në një nga projektet më të mëdha private të energjisë diellore të planifikuara deri më tani në vend.
Sipas përshkrimit të projektit të publikuar nga BERZH, financimi do të mbështesë ndërtimin e impianteve Blue Solar 2 dhe Blue Solar 3, me kapacitet total prej 160 MW energji diellore, si edhe një sistem magazinimi energjie me bateri prej 60 MW. Projekti pritet të ndërtohet në zonën e Sheq Marinasit, në Bashkinë Fier, ku wshtw nw operim edhe Blue Solar 1, me kapacitet 64 MW.
Kostoja totale e projektit vlerësohet në rreth 105 milionë euro, teksa kredia është aktualisht në fazë shqyrtimi dhe miratimi i bordit të BERZH është parashikuar për korrik 2026.
Sipas bankës, projekti synon të rrisë kapacitetet e energjisë së rinovueshme në Shqipëri dhe të diversifikojë prodhimin vendas të energjisë, duke reduktuar varësinë nga hidrocentralet dhe ekspozimin ndaj thatësirave apo luhatjeve hidrike.
Një tjetër element i projektit është sistemi i magazinimit me bateri, që synon të rrisë fleksibilitetin dhe stabilitetin e sistemit energjetik, duke lejuar integrimin më të madh të energjisë diellore në rrjet.
BERZH vlerëson se projekti do të kontribuojë edhe në rritjen e pjesëmarrjes së sektorit privat në tregun energjetik shqiptar, përmes modeleve të tregut të liberalizuar dhe investimeve të orientuara drejt energjisë së pastër./Scantv

