Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë ka rikthyer në vëmendje një nga temat më të ndjeshme për familjet dhe bizneset në vend: nevojën për sigurimin e pronës si një mekanizëm mbrojtës përballë rreziqeve që mund të shfaqen në çdo moment.
Në një mesazh ndërgjegjësues, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë thekson se prona nuk është thjesht një aset material, por përfaqëson vite përpjekjeje, sakrifice dhe investimi. Shtëpia, sipas saj, është hapësira ku ndërtohen kujtimet familjare dhe rriten brezat, ndërsa biznesi mbetet burimi kryesor i të ardhurave dhe stabilitetit ekonomik për shumë familje shqiptare.
Megjithatë, shoqata nënvizon se këto asete janë të ekspozuara ndaj rreziqeve të paparashikueshme, si zjarret, përmbytjet apo tërmetet. Kujtesa e tërmetit të Shqipërisë në vitin 2019 mbetet një shembull i fortë i pasojave që mund të sjellin fatkeqësitë natyrore, duke lënë pas mijëra banesa të dëmtuara dhe biznese të paralizuara.
Sipas Shoqatës së Siguruesve, humbja nga këto ngjarje nuk është vetëm materiale. Ajo prek drejtpërdrejt sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien e familjeve. Në rastin e bizneseve, dëmet përkthehen në humbje të të ardhurave, ndërprerje aktiviteti dhe rrezik për mbyllje.
Në këtë kontekst, sigurimi i pronës paraqitet jo si një shpenzim, por si një domosdoshmëri. Shoqata argumenton se, megjithëse sigurimi nuk parandalon fatkeqësitë, ai bën diferencën mes humbjes totale dhe mundësisë për t’u rikuperuar më shpejt. Përmes mbështetjes financiare që ofron, sigurimi lehtëson rindërtimin dhe rikthimin në normalitet.
Siguruesit theksojnë se fatkeqësitë nuk paralajmërojnë dhe ajo që është ndërtuar për vite mund të humbasë brenda pak minutash. Për këtë arsye, sigurimi shihet si një akt përgjegjësie jo vetëm ndaj vetes, por edhe ndaj familjes dhe të ardhmes.
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve të informohen dhe të konsultohen me kompanitë e sigurimit për të zgjedhur mbulimin e duhur, duke mos e lënë të ardhmen në dorë të rastësisë. /ekofin.al

