Yield-et e bonove të thesarit pësuan sërish një rënie në ankandin e kësaj jave, duke zbritur në nivelin 3.19%. Ky është niveli më i ulët i regjistruar në nëntë muajt e fundit.
Ankandi i kësaj jave ishte i pari pas uljes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, më datë 3 korrik.
Zakonisht, ndryshimi i normës bazë ndiqet nga një lëvizje në të njëjtin kah të yield-it të bonove të thesarit. Në fakt, ulja e yield-eve rezultoi e vogël (nga 3.28% në 3.19%), por sidoqoftë yield-et ishin që më parë mjaft të ulëta, shumë afër nivelit të normës bazë të interesit.
Në ankandin e ditës së martë pati një rënie të kërkesës në raport me ankandet e mëparshme dhe shuma e ofruar nga Ministria e Financave nuk u plotësua.
Nga 9.5 miliard lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim, në ankand u paraqitën gjithsej kërkesa në vlerën e 9.18 miliard lekë, që u pranuan të gjitha. Shuma e rezervuar për Bankën e Shqipërisë ishte sërish mjaft e lartë, me rreth 2.95 miliard lekë ose sa 31% e gjithë shumës së shpallur për financim nga Ministria e Financave.
Në fillim të këtij muaji, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit nga 3.25% në 3%. Kjo ishte lëvizja e parë në ulje e normës bazë, pas një cikli rritjesh të njëpasnjëshme mes marsit 2022 dhe nëntorit 2023.
Rënia e ndjeshme e inflacionit në muajt e parë të këtij viti e ka bindur Bankën e Shqipërisë për t’iu kthyer kahut lehtësues të politikës monetare.
Sipas të dhënave të INSTAT, inflacioni në muajin qershor ishte 2.1%, duke qëndruar për të pestin muaj radhazi poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë, Banka e Shqipërisë ka vendosur të ndjekë linjën e Bankës Qendrore Europiane, që e pati ndërmarrë një lëvizje të tillë në muajin qershor.
