Rritja e kredisë për individët po vijon të mbetet në nivele të larta, por sinjalet e para të ngadalësimit janë bërë tashmë të dukshme, veçanërisht në muajt e fundit të vitit 2025 dhe në fillim të vitit 2026. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kreditimi për këtë segment u rrit me rreth 18.9% në tremujorin e katërt, për t’u ngadalësuar më tej në 17.8% në muajin janar, duke reflektuar një ndryshim të lehtë të trajektores pas një periudhe rritjeje shumë të shpejtë.
Në thelb të këtij ngadalësimi qëndron kredia për blerje banese, e cila përbën rreth 66% të portofolit të kredisë për individët dhe mbetet faktori dominues në këtë segment. Pikërisht kjo kategori ka shfaqur shenja frenimi, me ritme rritjeje që kanë zbritur në 16.5%, nga nivelet më të larta të regjistruara më parë. Edhe pse kërkesa për financim mbetet e fortë, veçanërisht për konsum dhe pasuri të paluajtshme, dinamika e tregut ka filluar të ndikohet nga faktorë rregullatorë dhe nga një qasje më e kujdesshme e bankave.
Vendosja e disa kufizimeve rregullatore nga Banka e Shqipërisë për kreditë në pasuri të paluajtshme duket se ka luajtur një rol kyç në këtë zhvillim. Këto masa synojnë të frenojnë rritjen e shpejtë të ekspozimit ndaj sektorit të banesave dhe të reduktojnë rreziqet potenciale për stabilitetin financiar, në një treg që ka shfaqur ritme të forta zgjerimi vitet e fundit. Si pasojë, bankat janë bërë më selektive në miratimin e kredive, veçanërisht për blerje banese.
Megjithatë, ndryshe nga një shtrëngim i fortë, përqasja e bankave mbetet e kujdesshme, por më pak restriktive krahasuar me tremujorët e mëparshëm. Standardet dhe kushtet e kreditimit vijojnë të jenë të shtrënguara, por në një masë më të zbutur, ndërsa edhe shkalla e refuzimeve për kredi ka rënë. Kjo tregon se, megjithëse bankat janë më të kujdesshme në vlerësimin e rrezikut, ato vijojnë të shohin cilësi të mirë te kredimarrësit dhe potencial për zgjerim të kontrolluar të portofolit.
Një tjetër element që ka ndikuar në ecurinë e tregut është stabilizimi i normave të interesit. Kreditë hipotekare në euro kanë qëndruar rreth nivelit 4.9% në tremujorin e katërt dhe kanë zbritur në 4.6% në janar, ndërsa diferenca me kreditë në lek është ngushtuar ndjeshëm. Kjo ka ndihmuar në ruajtjen e kërkesës për kredi, por jo në ritmet e mëparshme të rritjes.
Në tërësi, zhvillimet e fundit tregojnë për një kalim gradual nga një fazë rritjeje të shpejtë të kredisë për individët drejt një trajektoreje më të qëndrueshme. Ngadalësimi i kreditimit për blerje banese, i nxitur nga masat rregullatore dhe kujdesi i shtuar i bankave, sugjeron se tregu po hyn në një fazë normalizimi, ku rritja mbetet pozitive, por më e balancuar dhe më pak e ekspozuar ndaj rreziqeve afatgjata. /ekofin.al

