Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve tregojnë se janë mbledhur 284 milionë euro më shumë nga taksapaguesit.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të viteve 2022 apo 2021, rritja është shumë më e lartë, ku diferenca më e madhe është në raport me 2021-shin me rreth 67.6 miliardë lekë më shumë, apo 670 milionë euro.
Ndërsa vetëm për muajin Qershor, të ardhurat tatimore duket se janë rritur me 3.2 miliardë lekë apo 32 milionë euro krahasuar me Qershor 2023 dhe shumë më tepër në raport me të njëjtin muaj të viteve të mëparshme.
Kjo rritje vjen nga mbledhja e më shumë të ardhurave nga TVSH, ku rol të ndjeshëm luan rritja e konsumit përgjatë kësaj periudhe që vjen si rrjedhojë e rritjes së pagave, shtimit të fluksit të turistëve dhe rënies së inflacionit.
Po ashtu, ndikim pozitiv kanë kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të cilat kanë shtuar ndjeshëm kontributin në buxhet, për shkak të rritjes së pagave, rritjes së pagës minimale si dhe formalizimit.
Tatimi mbi të ardhurat personale është gjithashtu një zë që ka peshë të rëndësishme në këtë performancë gjithashtu edhe tatimi mbi fitimin.
