Shqipëria po i drejtohet kulmit të sezonit turistik në mes të debatit për plazhe të boshatisura, kryesisht në jug dhe gjatë ditëve të javës. Shkaku kryesor duket se janë çmimet e larta, jo vetëm sa i përket akomodimit në hotele, por edhe në restorante apo bare.
Për kryebashkiakun e Vlorës, Ermal Dredha përceptimi mbi numrin e turistëve është relativ. Ai pranon që zakonisht në Vlorë fluksi konstatohet pas gjysmës së parë të muajit korrik. Ndërsa shprehet se këtë sezon ka një shtrirje të turistëve në një vijë më të gjerë bregdetare. Por apelon subjektet akomoduese dhe ato të shërbimit që të kenë kujdes me çmimet dhe të mendojnë për ardhmen afatgjatë.
Këtë sezon veror në Vlorë konstatohet që një numër i konsiderueshëm i turistëve vendas dhe të huaj u janë drejtuar apartamenteve që reklamohen në faqet online, duke refuzuar akomodimet në hotelet apo subjektet akomoduese pranë bregdetit.
Vetë operatorët turistikë pranojnë se të paktën deri tani ka një rënie me të paktën 30% të prenotimeve, megjithatë ata janë optimistë se pjesa e mbetura e sezonit, nga 15 korriku e deri në shtator, do të jetë shumë më pozitive për ta. Ekofin.al
