Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka dekretuar sot ndryshimet në kabinetin qeveritar, shkarkimet, lëvizjet nga dikasterët dhe emërimet e reja të propozuara nga kryeministri Edi Rama.
Belinda Balluku, e cila deri më tani ka shërbyer si Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe zv/kryeministre, është shkarkuar përfundimisht nga detyra. Ajo është tashmë nën hetim nga SPAK, teksa është kërkuar dhe arrestimi i saj.
Nga detyra është larguar përfundimisht dhe Elisa Spiropali, e emëruar në shtator ministre e Jashtme dhe Pirro Vengu, i cili mbante postin e ministrit të Mbrojtjes.
Emërime të reja janë, Ferit Hoxha si Ministër i Jashtëm, i cili deri më sot ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në BE, Enea Karakaçi në krye të ministrisë së Infrastrukturës, i cili deri më tani ka mbajtur postin e drejtorit të OSHEE, Ermal Nufi si ministër i Mbrojtjes dhe Eriona Ismaili si ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Ndërkohë si zv/kryeministre tashmë është emëruar Albana Koçiu.
Pas dekretimit nga presidenti, ndryshimet në kabinet do të kalojnë në Kuvend për të marrë votëbesimin ku duhen 71 vota dhe më pas ministrat e rinj betohen te Presidenti Begaj për të marrë detyrën.
7 ndryshimet në Qeveri
Albana Koçiu zv.kryeministre – zëvendëson Belinda Ballukun
Enea Karakaçi ministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës – zëvendëson Belinda Ballukun
Besfort Lamallari ministër i Brendshëm – zëvendëson Albana Koçiun
Toni Gogu ministër Drejtësie – zëvendëson Besfort Lamallarin
Ferit Hoxha ministër i Jashtëm – zëvendëson Elisa Spiropalin
Ermal Nufi ministër i Mbrojtjes – ikën Pirro Vengu
Eriona Ismaili ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin – zëvendëson Toni Gogun
4 ministrat e rinj të kabinetit Rama
Enea Karakaçi- ministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës
Ferit Hoxha- ministër i Jashtëm
Ermal Nufi- ministër i Mbrojtjes
Eriona Ismaili- ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin
3 ministrat që ikin nga kabineti Rama
Belinda Balluku
Elisa Spiropali
Pirro Vengu

