Sektori i transportit në Shqipëri vijon të përballet me një sërë sfidash strukturore që kufizojnë ndjeshëm zhvillimin ekonomik, tregtinë dhe potencialin turistik të vendit, vlerëson Banka Botërore.
Në një raport të fundit për Financat Publike, BB thekson se edhe pse shpenzimet publike për infrastrukturën e transportit janë ndër më të lartat në rajon si peshë ndaj buxhetit: rreth 7.5 për qind të totalit të shpenzimeve, ku afro 80 për qind u dedikohet rrugëve, problematikat e akumuluara ndër vite tregojnë se investimet nuk janë shoqëruar me efikasitet të qëndrueshëm dhe cilësi të mjaftueshme të shërbimit.
Rrjeti rrugor prej 15 mijë kilometrash mbart 98 për qind të trafikut të brendshëm të pasagjerëve, por pjesë të mëdha të tij mbeten të amortizuara, sidomos rrugët rurale dhe lidhjet rajonale, të cilat vuajnë nga standardet e dobëta të mirëmbajtjes, mungesa e parametrave bashkëkohorë të sigurisë dhe lidhshmëria e pamjaftueshme mes zonave ekonomike. Kjo situatë penalizon jo vetëm lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, por edhe konkurrueshmërinë tregtare dhe flukset e turizmit, që varen nga një infrastrukturë funksionale dhe e qëndrueshme.
Këtyre sfidave infrastrukturore u shtohet edhe cenueshmëria e lartë klimatike. Përmbytjet e shpeshta përgjatë korridoreve kryesore, si Tiranë–Durrës dhe Durrës–Vlorë, shkaktojnë humbje vjetore rreth 15 milionë dollarë, ndërsa dëmtimet në ura dhe prita rrjedhin në më shumë se 20 milionë dollarë të tjera në vit.
Raporti thekson se Shqipëria mund të arrijë rezultate dukshëm më të larta nga niveli aktual i shpenzimeve, nëse investimet orientohen dhe menaxhohen më me efikasitet.
Në këtë kuadër, raporti i Bankës Botërore nënvizon disa rekomandime kyçe. Në afatshkurtër sugjerohet krijimi i një buxheti të dedikuar për mirëmbajtjen e urave dhe strukturave rrugore, forcimi i institucioneve dhe standardeve të sigurisë, rritja e transparencës dhe kontrollit në importet e automjeteve të përdorura dhe ruajtja e taksave të larta ndaj karburanteve fosile. /ekofin.al

