Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që norma bazë e interesit të ulet në nivelin në nivelin 3.0%, dhe normat e interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, të ulen përkatësisht në nivelet 2.0% dhe 4.0%. Guvernatori Sejko, tha se ecuria pozitive e ekonomisë dhe rënia e inflacionit ishin arsyet kryesore të këtij vendimi.
“Të dhënat e disponuara sugjerojnë se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trend pozitiv zhvillimi. Aktiviteti ekonomik, punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten gjatë dy tremujorëve të parë të vitit, inflacioni ka ardhur në rënie, tregjet financiare kanë qenë relativisht të qeta, ndërsa kreditimi ka shënuar rritje progresive. Këto zhvillime kanë qenë, në përgjithësi, në linjë me pritjet tona”, u shpreh ai.
Sejko deklaroi lehtësimin e politikës monetares sepse inflacioni është poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë.
‘Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një rënie të mëtejshme gjatë muajve prill dhe maj, duke regjistruar një nivel mesatar prej 2.1%. Kjo rënie ishte disi më e shpejtë se pritjet tona. Nga këndvështrimi i shportës, rënia e inflacionit u diktua nga reduktimi i shpejtë i inflacionit të artikujve ushqimorë, ndërkohë që artikujt e tjerë të shportës shfaqën norma relativisht të qëndrueshme inflacioni’, deklaroi Sejko.
