Rritja e gjobave me 30% për bizneset dhe individët që ndotin mjedisin, duhet të shoqërohet me forcimin e kapaciteteve administrative për menaxhimin e tyre. Ky ishte fokusi i mbledhjes më të fundit të Komisionit parlamentar për Ekonominë dhe Financat, ku u diskutuan dy projektligjet lidhur me mbrojtjen e biodiversitetit dhe menaxhimin e integruar të mbetjeve.
Deputetja Milva Ekonomi theksoi që forcimi i këtyre masave vjen si rrjedhojë e sugjerimeve të ekspertëve dhe qytetarëve gjatë procesit të konsultimit publik të këtyre akteve.
“Këto dy ligje që ne shqyrtojmë sot, edhe natyrisht që ndjekin të gjithë protokollin që vjen nga rregullorja e kuvendit, pësojnë ndryshime për arsye të një konsultimi publik që ka ndodhur në periudhën 19 janar – 31 mars 2022. Të anketuarit që u pyetën, treguan që ka nevojë për ashpërsimin e masave, jo vetëm për sa i takon subjekteve, por edhe individëve që ndotin hapësirat publike.”
Kundër rritjes së gjobave ishte deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila nënvizoi se problemi është paaftësia në menaxhimin e mbetjeve të territorit.
