Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka hartuar një projektligj të ri për produktet mjekësore për përdorim njerëzor, që parashikon reformimin e tregut farmaceutik shqiptar dhe harmonizimin e plotë të legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian.
Nisma parashikon ndryshime thelbësore në procedurat e autorizimit, prodhimit, importit, shpërndarjes, shitjes online dhe reklamimit të barnave, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit ndaj produkteve farmaceutike të falsifikuara.
Projektligji zëvendëson ligjin e vitit 2014 për barnat dhe shërbimin farmaceutik, por hyrja në fuqi parashikohet vetëm pas hyrjes së vebdit në BE.
Autorizimi i barnave, kompetencat i kalojnë Agjencisë
Një nga ndryshimet kryesore është transferimi i kompetencave për autorizimin e tregtimit dhe prodhimit të barnave nga ministri përgjegjës për shëndetësinë te Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM).
Agjencia do të marrë rolin e plotë të autoritetit rregullator kombëtar, sipas modelit të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Ndryshe nga sistemi aktual, ku një pjesë e konsiderueshme e autorizimeve mbështeten në vendimet e autoriteteve të huaja dhe verifikimin e dokumentacionit, modeli i ri parashikon vlerësimin e plotë shkencor të produkteve farmaceutike.
Vendimet për dhënien apo revokimin e autorizimeve do të bëhen publike dhe duhet të shoqërohen me argumentimin përkatës.
Autorizimet e tregtimit me afat të pakufizuar pas rinovimit të parë
Projektligji parashikon lehtësimin e procedurave administrative për kompanitë farmaceutike.
Aktualisht, autorizimi i tregtimit të një bari ka vlefshmëri pesëvjeçare dhe rinovohet për periudha të njëpasnjëshme pesëvjeçare.
Sipas modelit të ri, pas pesë viteve të para dhe rinovimit të parë, autorizimi do të ketë vlefshmëri të pakufizuar, me përjashtim të rasteve kur Agjencia vlerëson se për arsye sigurie nevojitet një rinovim tjetër pesëvjeçar.
Ndryshimi synon të reduktojë barrën administrative për operatorët ekonomikë, duke e zhvendosur fokusin te monitorimi i vazhdueshëm i sigurisë së barnave.
Identifikues unik për barnat, masa kundër falsifikimit
Për të parandaluar hyrjen e barnave të falsifikuara në tregun shqiptar, projektligji parashikon ngritjen e një sistemi kombëtar të verifikimit të autenticitetit të produkteve farmaceutike, të lidhur me sistemin evropian.
Paketimet e barnave që u nënshtrohen këtyre kërkesave do të pajisen me një identifikues unik dhe një element sigurie që mundëson evidentimin e ndërhyrjeve në paketim.
Nëpërmjet këtij sistemi do të mund të verifikohet autenticiteti i produktit përpara se ai t’i jepet pacientit.
Gjithashtu, emri i produktit mjekësor do të shkruhet në paketim edhe në alfabetin Braille, ndërsa fletudhëzuesit do të hartohen sipas standardeve evropiane.
Shitja online e barnave pa recetë
Projektligji krijon kuadrin ligjor për shitjen nëpërmjet internetit të barnave që nuk kërkojnë recetë mjekësore, ndërsa ruan ndalimin e shitjes në distancë të barnave me recetë.
Operatorët që do të ofrojnë këtë shërbim duhet të njoftojnë paraprakisht AKBPM-në dhe të vendosin në faqet e tyre të internetit logon e përbashkët evropiane, që u mundëson konsumatorëve të identifikojnë ofruesit e ligjshëm.
Parashikohet gjithashtu zhvillimi i fushatave informuese për rreziqet që lidhen me blerjen e barnave nga burime të paautorizuara.
Rregulla të reja për reklamat dhe marrëdhëniet e mjekëve me kompanitë farmaceutike
Publiciteti i produkteve farmaceutike do të rregullohet drejtpërdrejt në ligj, duke përcaktuar kufizimet për reklamimin ndaj publikut dhe profesionistëve të shëndetësisë.
Projektligji përcakton rregulla për aktivitetin e përfaqësuesve mjekësorë të kompanive farmaceutike, shpërndarjen e mostrave falas, sponsorizimin dhe mikpritjen për qëllime shkencore.
Gjithashtu, ndalohet dhënia apo premtimi i përfitimeve të papërshtatshme për profesionistët e shëndetësisë në kuadër të promovimit të produkteve farmaceutike.
Detyrime të reja për importuesit dhe distributorët
Kompanitë që ushtrojnë aktivitetin e shpërndarjes me shumicë të barnave do t’i nënshtrohen një regjimi të posaçëm autorizimi, me detyrime për respektimin e standardeve evropiane të magazinimit, transportit dhe shpërndarjes.
Projektligji përcakton edhe detyrimin e shërbimit publik për distributorët, të cilët duhet të garantojnë furnizimin e vazhdueshëm të tregut.
Importuesit e produkteve farmaceutike nga vendet jashtë Bashkimit Evropian do të mbajnë përgjegjësi të plotë për cilësinë e produkteve që vendosin në treg.
Për herë të parë rregullohet edhe aktiviteti i ndërmjetësuesve në tregun farmaceutik, të cilët duhet të kenë një adresë të përhershme në Shqipëri dhe të ndërmjetësojnë vetëm produkte të autorizuara për tregtim.
Mundësi për eksportet farmaceutike, por edhe kosto të reja për bizneset
Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, harmonizimi me standardet evropiane krijon mundësi për rritjen e konkurrueshmërisë së prodhuesve vendas, tërheqjen e investimeve, shtimin e punësimit të kualifikuar dhe zgjerimin e eksporteve farmaceutike pas anëtarësimit në BE.
Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë pranon se zbatimi i standardeve të reja do të kërkojë investime shtesë nga operatorët ekonomikë në infrastrukturë, sisteme elektronike, personel të kualifikuar dhe sisteme të kontrollit të cilësisë.
Edhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të duhet të zgjerojë kapacitetet njerëzore dhe teknologjike për të përballuar kompetencat e reja.
Kuadër ligjor për terapitë e avancuara
Për herë të parë, legjislacioni shqiptar do të rregullojë në mënyrë të posaçme produktet mjekësore të terapive të avancuara, përfshirë terapinë gjenike, terapinë me qeliza somatike dhe produktet e inxhinierisë indore.
Për këto kategori produktesh parashikohen kërkesa të veçanta për cilësinë, sigurinë dhe gjurmueshmërinë, përfshirë ruajtjen e të dhënave për të paktën 30 vjet pas skadimit të produktit, në rastet e përcaktuara në projektligj.
Nisma synon të krijojë kushte për akses më të hershëm të pacientëve shqiptarë në trajtime inovative dhe të specializuara. /ekofin.al

