Qeveria pritet të ndërmarrë një nismë ligjore për faljen e rreth 36 mijë faturave të energjisë elektrike, të cilat lidhen me detyrime dhe gjoba të vendosura ndaj abonentëve gjatë periudhës 2008–2013, pas konstatimit se ato janë vendosur në mënyrë të padrejtë.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se është ngritur një grup pune për shqyrtimin e këtyre detyrimeve, ndërsa në vijim do të ndërmerren hapa ligjorë për hartimin e një ligji të posaçëm që do të mundësojë faljen e tyre.
“Një nga çështjet më të rëndësishme që është ngritur gjatë kësaj periudhe lidhet me disa detyrime dhe gjoba të vendosura për abonentët e energjisë elektrike gjatë periudhës 2008–2013. Unë kam ngritur menjëherë një grup pune për t’i vlerësuar këto detyrime. Kemi konstatuar që ato janë të padrejta dhe janë vendosur në mënyrë të gabuar ndaj këtyre klientëve”, deklaroi Karakaçi.
Sipas ministrit, pas shqyrtimit të rasteve dhe konstatimit të problematikave, do të iniciohet një ligj i posaçëm, përmes të cilit synohet të zgjidhet kjo çështje e mbartur prej vitesh dhe të lehtësohet barra financiare për qytetarët e prekur.
Nisma është bërë e ditur në kuadër të adresimit të ankesave të mbërritura përmes platformës “Fol me Kryeministrin”. Ministri informoi se nga 68 rastet e paraqitura në këtë platformë që lidhen me fushën e përgjegjësisë së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, 34 janë adresuar, ndërsa 34 të tjera vijojnë të jenë në proces shqyrtimi.
Karakaçi u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë të paraqesin shqetësimet e tyre përmes platformës, duke theksuar se evidentimi i problematikave dhe komunikimi me institucionet mund të ndihmojë në identifikimin dhe zgjidhjen e çështjeve që prekin qytetarët.
Falja e këtyre detyrimeve, nëse miratohet përmes ligjit të posaçëm, do të prekë rreth 36 mijë fatura të energjisë elektrike të krijuara në harkun kohor 2008–2013.

