Në vend të mbjelljes tradicionale me fidanë, qindra mijëra fara do të shpërndahen nga ajri nëpërmjet dronëve të specializuar. Shqipëria synon të zgjerojë përdorimin e kësaj teknologjie për restaurimin e pyjeve të dëmtuara nga zjarret, veçanërisht në territoret ku ndërhyrja njerëzore është e vështirë për shkak të relievit malor.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka përgatitur një projekt pilot që përfshin 136,74 hektarë në Parkun Kombëtar të Malit të Dajtit, në Parkun Kombëtar “Lurë – Mali i Dejës” dhe në Parkun Kombëtar “Bredhi i Hotovës – Dangëlli”.
Sipas dokumenteve të procedurës së prokurimit, në këto territore parashikohet të shpërndahen nga 513 mijë deri në 684 mijë kapsula biologjike. Ato do të përmbajnë jo vetëm fara, por edhe materiale që ndihmojnë në ruajtjen e lagështisë, mbrojtjen e farës dhe krijimin e kushteve të favorshme për mbirjen.
Dronët do të orientohen përmes sistemeve të avancuara të navigimit satelitor, ndërsa terreni do të hartëzohet në mënyrë digjitale për të përcaktuar zonat e mbjelljes. Përmes kamerave multispektrale dhe termale do të monitorohet më pas zhvillimi i bimësisë dhe efektiviteti i ndërhyrjes.
Pjesa më e madhe e projektit do të përqendrohet në Malin e Dajtit, me 87,5 hektarë. Vetëm në Malin e Priskës parashikohet ndërhyrja në 75,6 hektarë, ku, sipas vlerësimeve të ekspertëve, rigjenerimi natyror pas zjarreve është pothuajse inekzistent në pjesën më të madhe të sipërfaqes së dëmtuar.
Në Lurë do të trajtohen mbi 38 hektarë, ndërsa në Bredhin e Hotovës 11 hektarë të tjerë. Ndër speciet e përzgjedhura për restaurimin e pyjeve janë pisha e zezë, ahu, bredhi, arrneni dhe panja e malit.
Teknologjia e pyllëzimit me dronë është testuar më herët në rajonin e Korçës, në kuadër të një projekti të mbështetur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim. Këtë herë, synimi është krijimi i një modeli institucional që mund të aplikohet edhe në zona të tjera të mbrojtura të vendit. Nëse teknologjia rezulton efikase, ajo mund të ndryshojë mënyrën se si Shqipëria restauron pyjet e saj, duke mundësuar ndërhyrje më të shpejta edhe në territoret më të vështira malore./Scantv
