Vetëpunësimi po kthehet në një nga shtyllat kryesore të riintegrimit ekonomik të migrantëve të kthyer në Shqipëri, duke reflektuar ndryshime të dukshme në marrëdhënien e tyre me tregun e punës.
Të dhënat tregojnë një rritje të fortë dhe të qëndrueshme të vetëpunësimit ndër migrantët e kthyer gjatë dy dekadave të fundit, duke reflektuar ndryshime të rëndësishme në mënyrën e riintegrimit të tyre ekonomik.
Në fillim të viteve 2000, vetëm 7 për qind e të kthyerve të punësuar ishin të vetëpunësuar, një nivel shumë i ulët që sugjeron se vetëpunësimi kishte ende një rol margjinal. Kjo përqindje u trefishua në periudhën 2005 –2009, duke arritur në 22 për qind, dhe më pas kulmoi në 34 për qind për ata që u kthyen në vitet 2010 –2014, periudhë që përkon me rritjen e presioneve në tregun formal të punës, por edhe me përvojë më të pasur migratore.
Pas këtij kulmi, vetëpunësimi shfaq një stabilizim në nivele relativisht të larta, rreth 29 për qind për grupet e kthyera pas vitit 2015 e deri në vitin 2024 çka tregon se, ndonëse ritmi i rritjes është ngadalësuar, vetëpunësimi ka mbetur një strategji e konsoliduar për migrantët e kthyer. Ky evolucion nënvizon se vetëpunësimi nuk është më një zgjidhje e përkohshme, por një komponent i qëndrueshëm i përvojës së kthimit dhe i përshtatjes me realitetin ekonomik në vend.
Ky trend sugjeron se për shumë të kthyer, vetëpunësimi është një rrugë e rëndësishme për sigurimin e të ardhurave dhe përshtatjen ekonomike, shpesh si rezultat i një kombinimi mes mundësive dhe domosdoshmërisë. Nga njëra anë, përvoja migratore mund të sjellë aftësi, kursime dhe ide të reja biznesi; nga ana tjetër, vështirësitë në gjetjen e punësimit formal i shtyjnë shumë drejt sipërmarrjes si alternativë. Me kalimin e kohës, megjithatë, vihet re një integrim gradual në punësimin me pagë.
Sipas raportit, vetëpunësimi ka një rëndësi të veçantë për gratë dhe për migrantët e kthyer herët, duke ngushtuar dallimet gjinore në tregun e punës dhe duke shërbyer shpesh si zgjidhje për barrierat në punësimin formal. Ndërkohë, migrantët që kanë qëndruar më gjatë jashtë vendit priren të kenë nivele më të ulëta vetëpunësimi, duke sugjeruar akses më të mirë në punë me pagë.
Megjithatë, shumica e aktiviteteve të vetëpunësimit ndër të kthyerit mbeten në shkallë të vogël, pa punonjës me pagesë, çka kufizon potencialin për krijimin e vendeve të reja të punës. Pavarësisht kësaj, migrantët e kthyer, veçanërisht ata me përvojë më të gjatë jashtë vendit, kanë një probabilitet disi më të lartë për t’u shndërruar në punëdhënës krahasuar me jomigrantët, duke treguar se migracioni mund të shërbejë jo vetëm si përvojë individuale, por edhe si burim potencial për zhvillimin ekonomik në vend.
Sipas të dhënave, synimet për të emigruar sërish janë relativisht të kufizuara ndër migrantët e kthyer, ndonëse mbeten më të larta krahasuar me bashkëkombasit e tyre jomigrantë. Vetëm 13 për qind e të kthyerve shprehin plane për të jetuar përsëri jashtë vendit brenda dymbëdhjetë muajve të ardhshëm, krahasuar me një nivel pothuajse të papërfillshëm prej 1 për qind te jomigrantët.
Ndër ata që planifikojnë të emigrojnë, të kthyerit raportojnë një nivel më të lartë aktivitetesh përgatitore sesa jomigrantët, përkatësisht 42 për qind kundrejt 35 për qind. Për migrantët e kthyer, format më të shpeshta të përgatitjes përfshijnë kërkimin e punës (16 për qind), kontaktimin e miqve në vendin e destinacionit (11 për qind) dhe plotësimin e dokumentacionit ligjor (16 për qind).
Ndërkohë, jomigrantët raportojnë nivele të ngjashme të përgatitjes për kërkimin e punës (17 për qind), por janë dukshëm më të prirur të jenë në kontakt me lidhjet e tyre jashtë vendit (46 për qind), që përbën edhe formën më të zakonshme të përgatitjes në këtë grup. Për më tepër, jomigrantët shfaqin norma pak më të larta në plotësimin e dokumenteve ligjore (12 për qind) dhe në blerjen e biletave (10 për qind), krahasuar me migrantët e kthyer./ekofin.al

