Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit (IPQ) ka reaguar lidhur me diskutimet për përdorimin e përbërësve proteinikë në industrinë ushqimore, duke kërkuar që çdo pretendim për shkelje të mbështetet në analiza laboratorike, dokumentacion dhe ekspertizë profesionale. Shoqata thekson se përdorimi i proteinave ushqimore, kur është i lejuar dhe respekton kërkesat ligjore, nuk përbën në vetvete falsifikim apo rrezik për sigurinë ushqimore.
Në reagim, Shoqata shpreh shqetësimin për mënyrën se si po trajtohet përdorimi i përbërësve proteinikë në produktet ushqimore, duke theksuar se përgjithësimet mund të dëmtojnë padrejtësisht një sektor të tërë të ekonomisë shqiptare.
Sipas shoqatës, siguria ushqimore kërkon analiza laboratorike, dokumentacion, ekspertizë dhe përgjegjësi në informimin e publikut. Çdo shkelje konkrete duhet të zbulohet dhe të ndëshkohet, por kjo nuk duhet të shoqërohet me paragjykime ndaj industrisë përpunuese.
IPQ nënvizon se përdorimi i shtesave proteinike është një praktikë e njohur në industrinë ushqimore, ndërsa rëndësi vendimtare ka përcaktimi i produkteve ku ato lejohen, përbërja e tyre dhe respektimi i standardeve përkatëse.
Shoqata sjell në vëmendje edhe rolin ekonomik të fabrikave të përpunimit të qumështit, të cilat përfaqësojnë hallkën lidhëse mes fermerëve shqiptarë dhe tregut të konsumit.

Këto ndërmarrje grumbullojnë dhe përpunojnë qumështin e prodhuar nga fermerët vendas, krijojnë vende pune dhe investojnë në teknologji e standarde të prodhimit. Për këtë arsye, sipas IPQ-së, dëmtimi i padrejtë i besimit të konsumatorëve ndaj produkteve të industrisë përpunuese prek drejtpërdrejt edhe fermerët që furnizojnë fabrikat me qumësht.
Në reagim bëhet gjithashtu një dallim mes përdorimit të proteinave ushqimore dhe zëvendësimit të yndyrës së qumështit me yndyrë bimore, duke theksuar se këto janë dy çështje të ndryshme që nuk duhet të ngatërrohen.
Shoqata sqaron se proteinat janë përbërës natyrorë të qumështit, ndërsa përbërësit proteinikë që përdoren në industrinë ushqimore mund të përftohen edhe nga qumështi dhe hirra.
Sipas IPQ-së, përdorimi i këtyre përbërësve nuk përbën vetvetiu falsifikim apo provë të rrezikshmërisë së produktit, për sa kohë që lejohet për kategorinë përkatëse dhe respektohen kërkesat për përbërjen, sigurinë, gjurmueshmërinë dhe etiketimin.
Shoqata i referohet edhe kuadrit ligjor për mbrojtjen e konsumatorit dhe informimin mbi produktet ushqimore.
Konkretisht, ligji nr. 9863, datë 28 janar 2008, “Për ushqimin”, në nenin 36, përcakton kërkesat e përgjithshme të etiketimit, përfshirë emrin e produktit dhe deklarimin e përbërësve.
Ndërkohë, Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 434, datë 11 korrik 2018, që rregullon informimin e konsumatorëve për ushqimin, kërkon dhënien e informacionit të saktë dhe deklarimin e qartë të përbërësve të pranishëm në produkt.
Për produktet analoge, shoqata thekson se formulimi dhe etiketimi duhet të jenë në përputhje me legjislacionin, në mënyrë që konsumatori të informohet drejt për produktin që blen. /ekofin.al
