Qytetarët që kanë llogari bankare pa lëvizje prej të paktën dy vjetësh mund të mos përfshihen automatikisht në procesin e kompensimit të depozitave, nëse shumat e tyre janë më të vogla se kostoja administrative e pagesës. Ndërkohë, depozitat e vendosura si kolateral për kredi ose të bllokuara për shkak të detyrimeve të tjera nuk do të paguhen derisa të hiqet barra përkatëse, edhe në rast se institucioni financiar vendoset në likuidim të detyruar.
Projektligji “Për sigurimin e depozitave” parashikon që nga 1 korriku 2027 mbulimi i depozitave në banka të rritet nga 2,5 milionë në 6 milionë lekë për çdo depozitues në një bankë, ndërsa pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian kufiri do të kalojë në kundërvlerën në lekë të 100 mijë eurove. Megjithatë, fakti që një depozitë është e siguruar nuk nënkupton domosdoshmërisht se shuma përkatëse do t’i vihet menjëherë në dispozicion depozituesit në çdo rrethanë.
Llogaritë pa lëvizje prej 24 muajsh
Sipas nenit 26 të projektligjit, Agjencia nuk është e detyruar të ndërmarrë masa për kompensimin e një depozite nëse plotësohen njëkohësisht dy kushte: llogaria ka qëndruar pa transaksione për 24 muaj dhe shuma e depozitës është më e ulët se kostoja administrative që Agjencia duhet të përballojë për realizimin e pagesës.
Kostoja që do të shërbejë si prag për zbatimin e këtij përjashtimi nuk përcaktohet drejtpërdrejt në projektligj. Ajo do të caktohet me akt nënligjor të Bankës së Shqipërisë, me propozimin e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.
Megjithatë, kjo dispozitë nuk i heq qytetarit të drejtën për të marrë kursimet. Projektligji përcakton shprehimisht se Agjencia duhet ta kompensojë depozitën nëse depozituesi kërkon pagesën, pavarësisht se llogaria është e papërdorur dhe shuma është më e ulët se kostoja administrative.
Një tjetër rregull parashikon zgjatjen e afatit të kompensimit për depozitat pa transaksione gjatë 24 muajve të fundit, përveç rasteve kur depozituesi ka depozita të tjera aktive në të njëjtin institucion. Në këto raste, kompensimi duhet të kryhet brenda 14 ditëve pune nga momenti kur Agjencia njoftohet nga likuidatori për shumën përkatëse.
Këto dispozita kanë rëndësi për qytetarët që mbajnë llogari të vjetra bankare, shuma të vogla kursimesh ose depozita të cilat nuk i përdorin rregullisht.
Depozitat e vendosura si kolateral
Një tjetër kategori që mund të mos kompensohet menjëherë përfshin depozitat e përdorura si garanci financiare.
Projektligji përcakton se depozitat e barrësuara, të sekuestruara ose që shërbejnë si kolateral financiar përfshihen në llogaritjen e shumës së kompensimit, por pagesa e tyre nuk kryhet derisa të hiqet barra, sekuestroja ose kolaterali.
Kjo do të thotë se një qytetar ose biznes që ka vendosur një depozitë si garanci për një kredi mund të ketë një shumë të siguruar nga skema, por nuk mund ta marrë kompensimin derisa të zgjidhet pengesa ligjore që rëndon mbi depozitën.
Në rastet kur ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë, Agjencia ia paguan shumën personit të përcaktuar si përfitues në vendimin e gjykatës.
Dallimi është i rëndësishëm veçanërisht për bizneset që përdorin depozita monetare si kolateral për financime bankare ose për garantimin e detyrimeve të tjera.
Afatet e kompensimit dhe e drejta për të kërkuar kursimet
Projektligji parashikon edhe afate për vënien në dispozicion të kompensimit pas vendimit të Bankës së Shqipërisë për likuidimin e detyruar ose padisponueshmërinë e depozitave.
Gjatë periudhës kalimtare, deri në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, shuma e kompensimit duhet të bëhet e disponueshme brenda 14 ditëve pune. Pas anëtarësimit në BE, afati i përgjithshëm parashikohet të shkurtohet në shtatë ditë pune.
Për rastet e veçanta të depozitave që kërkojnë dokumentacion shtesë, projektligji parashikon afat deri në 30 ditë pune gjatë periudhës kalimtare, ndërsa më pas afati i parashikuar është deri në 20 ditë pune nga paraqitja e kërkesës së plotë.
Depozituesit do të kenë të drejtë ta kërkojnë shumën e kompensimit brenda pesë vjetëve nga ngjarja e sigurimit. Nëse procesi i likuidimit të detyruar zgjat më shumë se pesë vjet, e drejta zgjatet deri në përfundimin e këtij procesi.
Parashikimet synojnë të përcaktojnë mënyrën se si administrata e sigurimit të depozitave do të trajtojë kategori të ndryshme kursimesh, duke dalluar depozitat që mund të kompensohen menjëherë nga ato që kërkojnë verifikime ose zgjidhjen e pengesave ligjore./ekofin.al
