Rënia drastike e çmimit të vajit të ullirit po vë në vështirësi fermerët shqiptarë, duke nxitur paralajmërime për braktisjen e kultivimit dhe, në disa raste, prerjen e plantacioneve ekzistuese. Në këtë situatë, Albanian Food Industry (AFI) kërkon ndërhyrje urgjente nga institucionet shtetërore për të mbrojtur prodhuesit vendas dhe për të shmangur dëmtimin afatgjatë të sektorit.
Në një deklaratë për mbështetjen e fermerëve të ullirit, AFI vlerëson se situata kërkon një analizë të thelluar nga Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Ekonomisë dhe Financave, për të përcaktuar përmasat e krizës, pasojat ekonomike dhe masat që mund të ndërmerren për të stabilizuar tregun.
Sipas organizatës, në dhjetë vitet e fundit Shqipëria ka kryer investime të rëndësishme në kultivimin e ullirit dhe në ndërtimin e fabrikave të përpunimit të vajit, të cilat llogariten në mbi 270. Rënia e çmimeve rrezikon jo vetëm të ardhurat e fermerëve, por edhe investimet e kryera ndër vite, aktivitetin e përpunuesve, punësimin dhe ekonominë rurale.
AFI paralajmëron se braktisja e kultivimit të ullirit mund të ketë pasoja më të gjera, duke përfshirë vështirësitë ekonomike për fermerët, largimin e tyre nga vendi, mosshfrytëzimin e tokës bujqësore dhe dëmtimin e peizazhit rural. Për më tepër, tkurrja e prodhimit vendas mund të krijojë varësi më të madhe nga importet dhe të ekspozojë konsumatorët ndaj çmimeve më të larta në të ardhmen.
Për të frenuar përkeqësimin e situatës, Albanian Food Industry propozon një paketë prej shtatë masash, të cilat synojnë mbështetjen e fermerëve, garantimin e cilësisë së produktit vendas dhe krijimin e mekanizmave për mbrojtjen e tregut.
Së pari, kërkohet hartimi i një plani të shpejtë veprimi nga Ministria e Bujqësisë, për të analizuar situatën e krijuar nga çmimet e ulëta të vajit të ullirit, pasojat e mundshme dhe masat mbështetëse që mund të aplikohen për fermerët.
Një tjetër propozim lidhet me krijimin e një fondi për certifikimin e sasive të vajit të ullirit, në përputhje me standardet ligjore dhe, kur plotësohen kushtet, edhe me standardet organike. Certifikimi do të ofrohej falas për fermerët, ndërsa pagesa ose rimbursimi i kostos do të bëhej pas shitjes së produktit.
AFI propozon gjithashtu ndalimin e përkohshëm të importit të vajit të ullirit deri në fund të janarit, si një masë për t’i dhënë përparësi shitjes së prodhimit vendas në një periudhë kur fermerët po përballen me presion të fortë mbi çmimet.
Në të njëjtën kohë, organizata kërkon një fushatë të përditshme në mediat vizive për të nxitur konsumatorët të mbështesin fermerët shqiptarë përmes blerjes së vajit të ullirit vendas.
Një nga propozimet më të rëndësishme të deklaratës është vendosja e detyrimit për subjektet që kanë përfituar mbështetje nga fondet publike gjatë pesë viteve të fundit, përmes AZHBR-së, ose lehtësira fiskale, përfshirë statusin e investitorit strategjik, që deri në muajin qershor të blejnë vetëm vaj ulliri shqiptar të certifikuar, sipas një skeme të përcaktuar nga Ministria e Bujqësisë.
AFI propozon që mosrespektimi i këtij detyrimi të shoqërohet me masa financiare dhe administrative. Për blerjet e vajit me origjinë jo shqiptare, subjektet do të përballeshin me një tarifë të barabartë me vlerën e blerjes së produktit të importuar. Gjithashtu, propozohet përjashtimi për pesë vjet nga aplikimi për fonde të AZHBR-së apo përfitimi i lehtësirave të tjera fiskale në kuadër të legjislacionit nxitës të turizmit.
Në paketën e rekomandimeve përfshihet edhe vendosja e një çmimi reference për vajin e ullirit të importuar, për efekt të pagesave fiskale, bazuar në koston e prodhimit të vajit të ullirit nga fermerët shqiptarë. Kjo kosto, sipas propozimit, duhet të përcaktohet nga shoqatat e prodhuesve dhe QTTB Vlorë, institucioni përgjegjës për kulturën e ullirit.
Për monitorimin e zbatimit të masave, AFI kërkon ngritjen pranë Ministrisë së Bujqësisë të një task-force, ku 70% e përbërjes të jenë fermerë ose përfaqësues të fabrikave të vajit të ullirit. Ky grup do të kishte detyrën të verifikonte zbatimin e masave deri në fund të muajit shkurt.
AFI nënvizon se urgjenca për veprim lidhet edhe me kalendarin bujqësor. Dy muajt e ardhshëm janë periudhë e rëndësishme për kryerjen e shërbimeve ndaj kulturës së ullirit. Nëse fermerët heqin dorë nga këto shërbime për shkak të vështirësive financiare, pasojat mund të reflektohen në prodhimin e vitit të ardhshëm, duke dëmtuar fermerët, fabrikat e përpunimit dhe ekonominë në tërësi.
Sipas organizatës, një tkurrje e prodhimit vendas do të krijonte kushte për rritjen e varësisë nga importi dhe për rrezikun e çmimeve më të larta për konsumatorët në një fazë të mëvonshme. /ekofin.al


