Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka sqaruar procedurën që duhet të ndjekin qytetarët në rastet kur, gjatë shqyrtimit të aplikimeve për shërbime kadastrale, u kërkohet plotësimi i dokumentacionit.
Përmes një njoftimi, ASHK bën të ditur se qytetarët që kanë kryer një aplikim dhe marrin një kërkesë për dokumente shtesë mund t’i dorëzojnë ato elektronikisht, përmes platformës e-Albania, duke përdorur shërbimin Akt Verifikimi (AV0), i cili ofrohet pa pagesë.
Sipas Kadastrës, gjatë trajtimit të aplikimeve mund të lindë nevoja për dokumente shtesë, të cilat kërkohen nga Drejtoria Vendore përkatëse e ASHK-së. Në këto raste, qytetari njoftohet përmes dokumentit të titulluar “Kërkesë për plotësim dokumentacioni”, që dërgohet në seksionin “Dokumentet e Mia” në llogarinë personale në e-Albania.
Për të plotësuar kërkesën, qytetarët duhet fillimisht të identifikohen në platformën e-Albania dhe të përzgjedhin të njëjtin shërbim për të cilin kanë kryer aplikimin fillestar.
Më pas, në faqen e shërbimit duhet të zgjedhin opsionin “Dërgoni AV”, të plotësojnë të dhënat duke iu referuar aplikimit fillestar dhe të ngarkojnë dokumentacionin e kërkuar.
ASHK sqaron se dokumentet duhet të ngarkohen në formatin PDF. Në rastet kur dokumentacioni përmban disa faqe, ato duhet të bashkohen në një skedar të vetëm përpara ngarkimit në sistem.
Pas plotësimit të të dhënave dhe ngarkimit të dokumentit, procedura përfundon duke klikuar butonin “Dërgo”.
Dërgimi i dokumentacionit përmes shërbimit AV0 është pa pagesë, çka u mundëson qytetarëve të plotësojnë kërkesat për dokumente shtesë pa kryer një pagesë të re për këtë procedurë.
Megjithatë, Kadastra sqaron se në rastet kur kërkohet dorëzimi i dokumentacionit origjinal, qytetarët duhet ta dërgojnë atë edhe fizikisht, përmes shërbimit postar, në adresën e Drejtorisë Vendore të ASHK-së që trajton aplikimin.
Ky sqarim është i rëndësishëm për qytetarët që kanë aplikime në proces pranë Kadastrës, pasi përcakton mënyrën e plotësimit të dokumentacionit shtesë dhe shmang nevojën për paraqitje fizike vetëm për dorëzimin elektronik të dokumenteve. /ekofin.al
