Shqipëria duhet të mbështesë rritjen ekonomike gjithnjë e më shumë te produktiviteti, duke nxitur investimet në teknologji dhe në aftësitë e punonjësve. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, e vuri theksin te ky orientim gjatë konferencës së revistës “Monitor”, kushtuar 200 kompanive më të mëdha në vend për vitin 2025.
Sipas Sejkos, ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet me ritme rreth 4%, ndërsa PBB-ja për frymë, e matur sipas paritetit të fuqisë blerëse, është rritur nga 32% në 43% të mesatares së Bashkimit Evropian gjatë katër viteve të fundit. Megjithatë, ritmet e zhvillimit ndryshojnë sipas sektorëve. Shërbimet dhe turizmi kanë mbështetur rritjen, ndërsa industria dhe bujqësia janë përballur me më shumë vështirësi.
Rritja e kostove dhe mungesa e fuqisë punëtore po shtojnë presionin mbi konkurrueshmërinë e bizneseve. Në këtë kontekst, Sejko veçoi investimet në teknologji dhe në zhvillimin e aftësive të punonjësve, krahas përmirësimit të klimës së biznesit dhe uljes së informalitetit.
Integrimi evropian, sipas guvernatorit, u krijon kompanive shqiptare mundësi të hyjnë në tregje më të mëdha, të tërheqin investime dhe të bëhen pjesë e zinxhirëve evropianë të prodhimit dhe furnizimit. Për të shfrytëzuar këto mundësi, bizneset duhet të përgatiten për standarde më të larta dhe konkurrencë më të fortë.
Kredia për sektorin privat po rritet me mbi 15% dhe ka arritur në rreth 35% të PBB-së, niveli më i lartë i dekadës së fundit, sipas të dhënave që prezantoi guvernatori. Sejko kërkoi që financimi bankar të mbështesë më shumë investimet që nxisin prodhimin, inovacionin dhe eksportet, si dhe projektet që krijojnë më shumë vlerë të shtuar në vend.
Kjo kërkon produkte bankare të përshtatshme për investime afatgjata, më shumë transparencë financiare dhe formalizim nga bizneset, si dhe përmirësim të kuadrit ligjor dhe institucional.
Për investimet publike, Sejko veçoi projektet në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe teknologji si prioritete për rritjen e potencialit afatgjatë të ekonomisë, krahas uljes graduale të borxhit publik. /ekofin.al
