Kamatëvonesat për detyrimet doganore të papaguara nuk do të mund të tejkalojnë shumën e borxhit, ndërsa për bizneset që kryejnë shkelje doganore do të ndryshojnë kriteret e zbatimit të gjobave. Këto janë dy nga ndërhyrjet kryesore të projektligjit për ndryshimin e Kodit Doganor, i cili ka mbërritur në Kuvend për shqyrtim dhe miratim.
Paketa, e cila ka mbërritur në Kuvend për shqyrtim dhe miratim, ndryshon një sërë dispozitash që lidhen me detyrimet financiare të importuesve dhe eksportuesve, përgjegjësinë për shkeljet doganore, pezullimin e autorizimeve dhe procedurat e ankimit ndaj vendimeve të administratës.
Një pjesë e ndryshimeve synojnë të vendosin kufij më të qartë për detyrimet që mund të rëndojnë mbi bizneset, ndërsa të tjera riformulojnë kompetencat e administratës doganore për vendosjen e sanksioneve.
Kamatëvonesat nuk do të kalojnë shumën e detyrimit doganor
Një nga ndryshimet me ndikimin më të drejtpërdrejtë financiar lidhet me kamatëvonesat që aplikohen për detyrimet doganore të papaguara në afat.
Projektligji parashikon që shuma maksimale e kamatëvonesës së vendosur nga autoritetet doganore të mos tejkalojë shumën e detyrimit të importit ose eksportit mbi të cilin ajo llogaritet.
Në praktikë, nëse një biznes ka një detyrim doganor të papaguar prej 1 milion lekësh, kamatëvonesa e akumuluar nuk do të mund të kalojë 1 milion lekë, pavarësisht kohëzgjatjes së vonesës. Kjo nuk e shuan detyrimin fillestar, por kufizon shumën shtesë që mund të krijohet nga kamatëvonesa.
Kodi aktual parashikon që kamatëvonesat të llogariten duke marrë si bazë normën e interesit të Bankës së Shqipërisë për operacionet kryesore të rifinancimit, të rritur me 2 pikë përqindjeje.
Megjithatë, dispozita ekzistuese nuk përcakton një tavan të ngjashëm për shumën totale që mund të akumulohet. Vendosja e kufirit të ri mund të ketë rëndësi veçanërisht për bizneset që përballen me detyrime doganore të mbartura për periudha të gjata.
Ndryshimi nuk parashikohet të zbatohet në mënyrë prapavepruese për të gjitha detyrimet. Sipas dispozitës për fillimin e zbatimit, kufiri i kamatëvonesave do të vlejë vetëm për vendimet që autoritetet doganore marrin pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Gjobat doganore, ndryshon kriteri i zbatimit
Projektligji ndërhyn edhe në mënyrën se si klasifikohen dhe sanksionohen kundërvajtjet doganore, duke i dhënë rëndësi më të qartë pasojës financiare që shkakton shkelja.
Kodi aktual dallon shkeljet që lidhen me mallrat, përfshirë ndryshimet në sasi, vlerë, origjinë apo lloj, dhe që krijojnë diferenca në detyrimet doganore, nga kundërvajtjet e tjera për të cilat vendosen gjoba fikse.
Me formulimin e ri, në dispozitat përkatëse përcaktohet shprehimisht se gjobat fikse zbatohen në rastet kur kundërvajtja nuk sjell diferenca në pagesën e detyrimeve që duhen paguar.
Ndryshimet prekin nenet 256, 257, 258 dhe 259 të Kodit Doganor, të cilat përcaktojnë sanksionet në varësi të llojit dhe përgjegjësisë për shkeljen.
Sipas niveleve ekzistuese, për kundërvajtjet me përgjegjësi objektive, që nuk kërkojnë provimin e fajit, gjobat fikse variojnë nga 20 mijë deri në 50 mijë lekë. Për shkeljet e kryera në neglizhencë, ato variojnë nga 50 mijë deri në 500 mijë lekë, ndërsa për kundërvajtjet e kryera me dashje parashikohet gjobë fikse prej 1 milion lekësh.
Kur shkelja lidhet me mallrat dhe sjell detyrime të papaguara, Kodi parashikon sanksione që llogariten në raport me detyrimin e munguar: njëfishin për kundërvajtjet me përgjegjësi objektive, dyfishin për ato të kryera në neglizhencë dhe trefishin për shkeljet e kryera me dashje.
Projektligji nuk i ndryshon drejtpërdrejt këto nivele, por riformulon kriteret e përcaktimit të sanksionit. Për kategorinë e kundërvajtjeve të tjera, të rregulluara në nenin 259, hiqet edhe kushti që shkelja të ketë të bëjë me ndryshime në sasinë, vlerën, origjinën apo llojin e mallrave, duke ruajtur si element përcaktues krijimin e diferencave në detyrimet që duhen paguar.
Kjo mund të ndikojë në trajtimin e shkeljeve që sjellin pasoja financiare, por nuk përfshihen në kategoritë tradicionale të pasaktësive të deklarimit të mallrave.
Dy shkelje hiqen nga kategoria e kundërvajtjeve me dashje
Një ndërhyrje tjetër lidhet me klasifikimin e shkeljeve që kryhen nga personat apo bizneset ndaj të cilëve është marrë një vendim doganor.
Projektligji shfuqizon dy dispozita të nenit 253, që aktualisht i klasifikojnë si kundërvajtje të kryera me dashje mosrespektimin e detyrimeve që rrjedhin nga një vendim doganor dhe mosnjoftimin e administratës për rrethana të reja që ndikojnë në zbatimin e tij.
Këto veprime janë të parashikuara edhe në nenin 252, që rregullon kundërvajtjet e kryera në neglizhencë.
Heqja e tyre nga lista e shkeljeve me dashje shmang mbivendosjen e këtyre dispozitave, ndërsa detyrimet për respektimin e vendimeve dhe njoftimin e autoriteteve doganore vijojnë të mbeten në fuqi.
Për bizneset, ky ndryshim ka rëndësi pasi sanksionet e parashikuara për kundërvajtjet e kryera me dashje janë më të rënda se ato për kundërvajtjet në neglizhencë.
Ndërkohë, në listën e shkeljeve me përgjegjësi objektive shtohet edhe mosrespektimi i detyrimit për paraqitjen brenda afatit të mallrave të vendosura në procedurën e transitit, sipas masave të përcaktuara nga autoritetet doganore.
Doganat mund të pezullojnë ose revokojnë autorizimet e bizneseve
Ndryshimet nuk kufizohen vetëm te gjobat monetare.
Projektligji riformulon nenin 43 të Kodit Doganor, duke përcaktuar se sanksionet administrative mund të përfshijnë pagesa monetare, por edhe revokimin, pezullimin ose ndryshimin e autorizimeve që zotëron një operator ekonomik.
Të dyja kategoritë e masave mund të zbatohen veçmas ose njëkohësisht.
Kjo ka rëndësi për bizneset që operojnë me autorizime doganore, përfshirë ato që përdorin procedura të posaçme apo lehtësi në kryerjen e operacioneve tregtare.
Në formulimin aktual, Kodi i referohet sanksioneve që lidhen me vendimet e favorshme dhe parashikon zbatimin e tyre pavarësisht anulimit, revokimit apo ndryshimit të vendimit. Formulimi i ri e trajton më gjerësisht zbatimin e sanksioneve për mosrespektimin e legjislacionit doganor.
Zgjerohet e drejta e ankimit ndaj vendimeve doganore
Një tjetër ndryshim me interes për bizneset lidhet me të drejtën për të kundërshtuar vendimet e administratës doganore.
Sipas projektligjit, çdo person që preket drejtpërdrejt dhe individualisht nga një vendim i autoriteteve doganore mund të ushtrojë të drejtën e ankimit. Kjo e zgjeron formulimin e mëparshëm, i cili i referohej kryesisht refuzimit të aplikimeve dhe anulimit apo revokimit të vendimeve të favorshme.
E drejta e ankimit përfshin edhe rastet kur një biznes ka paraqitur aplikim pranë autoriteteve doganore, por nuk ka marrë përgjigje brenda afatit ligjor.
Projektligji ruan afatin prej 15 ditësh për paraqitjen e ankimit administrativ pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, kur kjo është organi më i lartë administrativ, dhe afatin prej 30 ditësh për vendimmarrjen e saj.
Një dispozitë e re përcakton shprehimisht mundësinë e ankimit në gjykatë brenda 45 ditëve, kur vendimi është marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Ky afat zbatohet edhe në rastin e përfundimit të afatit për shqyrtimin e një aplikimi pa marrë vendim.
Për vendimet që shoqërohen me borxhe doganore apo sanksione administrative vijojnë të zbatohen procedurat e posaçme të ankimit, sipas neneve 281 dhe 282 të Kodit. /ekofin.al
