Kuadri ligjor i sigurimit të detyrueshëm të automjeteve do të ndryshojë sërish, duke parashikuar rritje të konsiderueshme të kufijve të përgjegjësisë për aksidentet rrugore, procedura më të shpejta për dëmshpërblimet, mbulim shtesë për 15 ditë pas përfundimit të kontratës dhe rregulla të reja për përcaktimin e çmimeve të policave të sigurimit. Megjithatë, një pjesë e ndryshimeve më të rëndësishme, përfshirë limitet e reja në euro, do të zbatohen vetëm pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Projektligji i ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe i publikuar për konsultim publik, synon të zëvendësojë ligjin nr. 32/2021.
Projektligji përmban 65 nene dhe përfshin ndryshime që prekin drejtpërdrejt pronarët e automjeteve, kompanitë e sigurimit, pasagjerët, këmbësorët dhe të gjithë personat që mund të dëmtohen në aksidente rrugore.
Limitet e përgjegjësisë rriten deri në 6.45 milionë euro, por vetëm pas anëtarësimit në BE
Një nga ndryshimet më të rëndësishme të projektligjit lidhet me kufijtë minimalë të përgjegjësisë së kompanive të sigurimit për dëmet e shkaktuara nga aksidentet.
Neni 23 parashikon që, pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kufiri minimal për dëmet ndaj personave të jetë 6.45 milionë euro për çdo aksident, pavarësisht numrit të personave të dëmtuar, ose 1.3 milionë euro për çdo person të dëmtuar.
Për dëmet ndaj pronës, kufiri minimal i përgjegjësisë do të jetë 1.3 milionë euro për çdo aksident, pavarësisht numrit të personave të dëmtuar.
Këto shuma përfaqësojnë kufijtë e mbulimit të sigurimit dhe jo pagesa automatike për çdo aksident. Dëmshpërblimi konkret do të varet nga dëmi i provuar dhe rregullat e vlerësimit.
Sipas projektligjit, shumat në euro do të konvertohen në lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë të datës 22 dhjetor 2021. Kufijtë do të rishikohen në përputhje me ndryshimet e miratuara nga Bashkimi Evropian.
Megjithatë, neni 52 përcakton shprehimisht se këto limite nuk do të zbatohen menjëherë pas miratimit të ligjit, por vetëm nga data e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Sa do të jenë limitet e sigurimit deri në anëtarësimin në BE?
Gjatë periudhës kalimtare, projektligji ruan një sistem të diferencuar sipas kategorive të automjeteve.
Për dëmet ndaj personave, përfshirë vdekjen, dëmtimet shëndetësore dhe përkeqësimin e shëndetit, parashikohen këto kufij minimalë:
Kategoria e automjetit Limiti deri në anëtarësimin në BE
Autobusë dhe kamionë, përfshirë rimorkiot 150 milionë lekë
Mjete që transportojnë lëndë të rrezikshme 200 milionë lekë
Automjete të tjera, përfshirë mjetet e paidentifikuara 100 milionë lekë
Për dëmet ndaj pronës, kufiri minimal i përgjegjësisë mbetet 20 milionë lekë për çdo ngjarje, për të tria kategoritë.
Pra, në fazën kalimtare nuk parashikohet kalimi i menjëhershëm në kufijtë evropianë. Për automjetet e zakonshme, mbulimi minimal për dëmet ndaj personave do të vijojë të jetë 100 milionë lekë, ndërsa për dëmet materiale 20 milionë lekë.
Pas anëtarësimit në BE, këta kufij do të zëvendësohen nga regjimi i nenit 23, me limite të përcaktuara në euro dhe pa diferencimin aktual sipas këtyre kategorive të automjeteve.
Ndryshon llogaritja e dëmeve për vdekjen dhe paaftësinë për punë
Projektligji parashikon gjithashtu rregulla të detajuara për mënyrën e përllogaritjes së dëmshpërblimeve gjatë periudhës kalimtare.
Për personat që pësojnë paaftësi të përhershme për punë, dëmi pasuror do të llogaritet duke marrë në konsideratë të ardhurat vjetore neto, moshën e daljes në pension dhe shkallën e humbjes së aftësisë për punë.
Për personat e punësuar ose të vetëpunësuar, referencë do të jenë të ardhurat mesatare neto të tri viteve të fundit.
Nëse personi i dëmtuar nuk ka qenë në marrëdhënie pune në momentin e aksidentit, llogaritja do të mbështetet në pagën minimale zyrtare bruto.
Për aksidentet me pasojë vdekjen, dëmi pasuror do të llogaritet mbi bazën e metodës së përdorur për paaftësinë e plotë të përhershme, duke zbritur pjesën e të ardhurave që viktima do të përdorte për nevojat personale.
Për paaftësinë e përkohshme, dëmi financiar do të përfshijë pjesën e papaguar të pagës gjatë periudhës së paaftësisë.
Dëmet morale, biologjike dhe ekzistenciale: Kufijtë që parashikon projektligji
Në dispozitat kalimtare, neni 52 përcakton edhe kufizime të veçanta për dëmet jopasurore.
Për dëmin biologjik, vlera e përfitimit nuk mund të jetë më shumë se 110 mijë lekë për çdo 10% të shkallës së paaftësisë së përhershme, duke marrë në konsideratë moshën dhe shkallën e dëmtimit.
Për dëmin moral dhe ekzistencial të personit që ka pësuar paaftësi të përhershme për punë, secila kategori mund të llogaritet në intervalin nga tre të katërtat deri në një herë e gjysmë të dëmit biologjik.
Projektligji parashikon edhe dëmshpërblime për familjarët e personave të dëmtuar, duke vendosur kufij të veçantë për bashkëshortët, fëmijët, prindërit, motrat dhe vëllezërit.
Këto dispozita janë të rëndësishme për mënyrën se si do të trajtohen kërkesat për dëmshpërblim dhe për kufijtë e përgjegjësisë financiare të kompanive të sigurimit gjatë periudhës përpara anëtarësimit në BE.
Polica e sigurimit do të ketë edhe 15 ditë mbulim pas përfundimit të kontratës
Një risi me ndikim të drejtpërdrejtë për drejtuesit e automjeteve është periudha kalimtare 15-ditore, e njohur si grace period.
Sipas nenit 8, të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga kontrata e sigurimit do të zgjaten për 15 ditë pas përfundimit të saj, nëse i siguruari nuk e ka njoftuar kompaninë të paktën tri ditë përpara skadimit se nuk është dakord me rinovimin.
Kjo do të thotë se, në kushtet e përcaktuara nga ligji, mbulimi i sigurimit mund të vazhdojë edhe pas datës së skadimit të policës.
Por kjo periudhë nuk përbën sigurim falas.
Nëse gjatë këtyre 15 ditëve ndodh një ngjarje sigurimi, i siguruari do të jetë i detyruar të paguajë primin e sigurimit për të gjithë vitin pasardhës.
Nëse gjatë periudhës kalimtare pronari lidh një kontratë me një kompani tjetër sigurimi, kompania e mëparshme ka të drejtë të kërkojë primin për ditët gjatë të cilave ka ofruar mbulim.
Ky mekanizëm synon të shmangë ndërprerjet e menjëhershme të mbulimit, por njëkohësisht vendos detyrime financiare për drejtuesit e automjeteve.
Dëmet deri në 250 mijë lekë do të paguhen brenda 14 ditëve
Projektligji rrit ndjeshëm kufirin për trajtimin e përshpejtuar të dëmeve materiale me vlerë të vogël.
Aktualisht, ky prag është 100 mijë lekë, ndërsa me ligjin e ri propozohet të rritet në 250 mijë lekë, ose 2.5 herë më shumë.
Për kërkesat që përfshihen në këtë kategori, kompania e sigurimit do të jetë e detyruar të kryejë pagesën brenda 14 ditëve kalendarike nga paraqitja e kërkesës për dëmshpërblim, sipas kushteve ligjore.
Ndryshimi synon të përshpejtojë zgjidhjen e dëmeve të vogla materiale, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të kërkesave që paraqiten pranë kompanive të sigurimit.
Raporti Evropian i Aksidentit, kufiri rritet në 50 mijë lekë
Projektligji parashikon rritjen në 50 mijë lekë të kufirit të dëmeve ndaj pronës për përdorimin e Raportit Evropian të Aksidentit.
Ky mekanizëm u mundëson drejtuesve të automjeteve të dokumentojnë aksidentet me dëme të kufizuara materiale, në përputhje me kushtet ligjore përkatëse.
Rritja e kufirit synon të thjeshtojë procedurat e dokumentimit dhe trajtimit të aksidenteve të vogla, duke ulur ngarkesën administrative për qytetarët dhe kompanitë e sigurimit. /ekofin.al
