Aksionet e Deutsche Bank ranë me 5.2% në orët e para të tregtimit të së martës, pasi banka reagoi ndaj një serie raportimesh mediatike të bazuara në dokumente të rrjedhura, duke deklaruar se ngjarjet e përmendura datojnë shumë vite më parë dhe se kontrollet e saj janë përmirësuar.
Raportimet, të publikuara nga një konsorcium gazetarësh ndërkombëtarë në media si revista gjermane Der Spiegel, gazeta britanike Financial Times dhe gazeta amerikane The New York Times, pretendojnë se hedhin dritë mbi marrëdhëniet e bankës me klientë të ndryshëm, mes tyre oligarkë rusë, presidenti amerikan Donald Trump dhe financieri i ndjerë Jeffrey Epstein.
“Çështjet e përmendura datojnë shumë vite më parë, në disa raste deri në dy dekada”, thuhej në një deklaratë të Deutsche Bank.
Prej vitesh, Deutsche Bank po përpiqet të rikthejë reputacionin e saj pas gjobave të vendosura për shkak të mangësive në kontrollet kundër pastrimit të parave dhe shkeljeve të tjera të rregullave të pajtueshmërisë.
Nën drejtimin e Christian Sewing, i cili mban postin e drejtorit ekzekutiv që prej vitit 2018, banka ka arritur të rikthehet në fitim, megjithatë mangësitë në zbatimin e rregullave kanë dalë herë pas here sërish në pah.
Një nga rastet më të fundit ishte publikimi i detajeve mbi marrëdhënien e bankës me Jeffrey Epstein, të cilat u zbuluan në dokumentet e Departamentit amerikan të Drejtësisë, të publikuara në fillim të këtij viti.
“Deutsche Bank është një bankë ndryshe sot dhe mbetet e përqendruar në zbatimin e strategjisë së saj, e cila ka rezultuar e suksesshme. Këtë e dëshmojnë fitimet rekord të regjistruara në vitin 2025, si dhe rezultatet e tremujorëve të fundit”, deklaroi banka të martën.
Raportimet, të cilat agjencia Reuters nuk kishte arritur t’i verifikonte menjëherë, bazohen në 15 milionë dokumente të rrjedhura, ku përfshihen email-e dhe procesverbale takimesh, raportoi The New York Times.
Dokumentet u siguruan nga dy gazetarë, përkatësisht nga India dhe Afrika e Jugut, dhe më pas u analizuan nga një konsorcium me më shumë se 200 gazetarë.
“Duke qenë se bëhet fjalë për çështje të trashëguara nga e kaluara, çdo ndikim i mundshëm financiar nuk pritet të jetë domethënës, nëse do të ketë ndonjë ndikim”, deklaroi Deutsche Bank. /Përshtati nga Reuters, ekofin.al

