Vetëm 25% deri në 35% e marrëdhënieve tregtare të bizneseve shqiptare që merren ekskluzivisht me eksport arrijnë të mbijetojnë vitin e parë, ndërsa pas shtatë vitesh kjo përqindje zbret në vetëm 1% deri në 5%, në varësi të kanalit të transportit.
Të dhënat tregojnë se një nga sfidat kryesore për eksportuesit shqiptarë nuk është vetëm hyrja në tregjet ndërkombëtare, por ruajtja e marrëdhënieve të qëndrueshme me blerësit e huaj.
Gjetjet janë pjesë e raportit të ri të Bankës Botërore “Lidhja e firmave me tregjet: Të dhënat në nivel porti mbi mbijetesën e eksporteve në Shqipëri, i cili analizon të dhënat doganore të Shqipërisë për periudhën 2017–2023. Studimi shqyrton qëndrueshmërinë e eksporteve nëpërmjet porteve detare, terminaleve të brendshme doganore, pikave kufitare tokësore dhe transportit ajror.
Sipas raportit, marrëdhëniet tregtare të bizneseve që vetëm eksportojnë rezultojnë veçanërisht të brishta në vitet e para. Norma më e lartë e mbijetesës gjatë vitit të parë regjistrohet në portet detare, me 35%, e ndjekur nga pikat kufitare tokësore me 32%, terminalet e brendshme me 30% dhe transporti ajror me vetëm 25%.
Rënia vazhdon edhe në vitet pasuese. Në vitin e dytë, norma e mbijetesës së marrëdhënieve të eksportit zbret në 20% për portet detare, 18% për pikat kufitare tokësore, 15% për terminalet e brendshme dhe 10% për transportin ajror. Pas shtatë vitesh, vetëm 5% e marrëdhënieve të eksportit përmes porteve detare rezultojnë ende aktive. Për pikat kufitare tokësore kjo përqindje është 4%, për terminalet e brendshme 2%, ndërsa për transportin ajror vetëm 1%.
Bizneset që importojnë dhe eksportojnë, më rezistente në tregjet e huaja
Studimi bën edhe një dallim mes bizneseve që merren vetëm me eksport dhe atyre që kombinojnë eksportin me importin.
Banka Botërore konstaton se bizneset që operojnë në të dyja drejtimet e tregtisë ndërkombëtare kanë, në përgjithësi, marrëdhënie tregtare më të qëndrueshme.
Dallimi më i madh gjatë vitit të parë shfaqet në terminalet e brendshme doganore. Për bizneset që vetëm eksportojnë, norma e mbijetesës së marrëdhënieve të eksportit është 30%, ndërsa për ato që njëkohësisht importojnë dhe eksportojnë arrin në 42%, ose 12 pikë përqindjeje më shumë.
Në transportin ajror, norma për bizneset me aktivitet tregtar në të dyja drejtimet është 34%, krahasuar me 25% për eksportuesit e vetëm. Në pikat kufitare tokësore, diferenca është më e vogël, përkatësisht 34% kundrejt 32%, ndërsa në portet detare regjistrohet një normë prej 36% kundrejt 35%.
Edhe për bizneset që importojnë dhe eksportojnë, qëndrueshmëria e marrëdhënieve tregtare bie ndjeshëm me kalimin e viteve. Në vitin e shtatë, norma e mbijetesës së marrëdhënieve të eksportit është 5% në terminalet e brendshme, 4% në pikat kufitare tokësore dhe 3% në portet detare dhe transportin ajror.
Megjithatë, në tërësi, analiza nxjerr në pah një avantazh për bizneset që ndërthurin importin me eksportin, duke sugjeruar se lidhjet më të gjera me zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit mund t’i ndihmojnë firmat të ruajnë marrëdhënie tregtare më të qëndrueshme.
Ky përfundim mbështetet edhe nga analiza ekonometrike. Sipas Bankës Botërore, aktiviteti i njëkohshëm në import dhe eksport lidhet me një probabilitet mbijetese të marrëdhënieve të eksportit 9,9 pikë përqindjeje më të lartë në terminalet e brendshme dhe 11,9 pikë përqindjeje më të lartë në portet detare, krahasuar me firmat që vetëm eksportojnë. Për aeroportet dhe pikat kufitare tokësore, ky efekt nuk rezulton statistikisht domethënës në modelin kryesor.
Edhe në pikat kryesore kufitare, marrëdhëniet e eksportit janë jetëshkurtra
Studimi analizon veçmas edhe katër pika kufitare tokësore: Kakavijën, Kapshticën, Hanin e Hotit dhe Blladën.
Për firmat që vetëm eksportojnë, norma e mbijetesës gjatë vitit të parë luhatet nga 25% në Kakavijë deri në 56% në Blladë, kjo e fundit me një numër shumë më të kufizuar firmash në kampion. Në Kapshticë norma arrin në 33%, ndërsa në Han të Hotit 30%.
Por sipas analizës, asnjë nga marrëdhëniet e eksportit të këtij grupi nuk rezulton të mbijetojë deri në vitin e shtatë në këto katër pika kufitare.
Situata është më e favorshme për bizneset që njëkohësisht importojnë dhe eksportojnë. Kakavija regjistron normën më të lartë të mbijetesës në vitin e parë për këtë kategori, me 41% për marrëdhëniet e eksportit dhe 45% për ato të importit.
Këto rezultate nxjerrin në pah dallimet mes kategorive të bizneseve dhe tregojnë se qëndrueshmëria e aktivitetit tregtar ndryshon jo vetëm sipas karakteristikave të firmave, por edhe sipas pikës kufitare dhe tregjeve që ato shërbejnë.
Banka Botërore: Mbështetja nuk duhet të përqendrohet vetëm te hyrja në tregje të reja
Raporti konstaton se madhësia e aktivitetit eksportues, shumëllojshmëria e produkteve, diversifikimi i tregjeve dhe përfshirja në import dhe eksport janë ndër faktorët që lidhen më ngushtë me qëndrueshmërinë e marrëdhënieve tregtare.
Gjatë periudhës 2017–2023, numri i bizneseve që kombinonin importin me eksportin u rrit rreth 1,5 herë në terminalet e brendshme dhe pikat kufitare tokësore, ndërsa në portet detare pothuajse u dyfishua. Në të kundërt, numri i bizneseve që merreshin vetëm me eksport mbeti relativisht i qëndrueshëm.
Sipas Bankës Botërore, këto zhvillime tregojnë se ndryshimi në strukturën e bizneseve të përfshira në tregtinë ndërkombëtare është nxitur kryesisht nga rritja e firmave që kryejnë aktivitet në të dyja drejtimet, dhe jo nga një zgjerim i konsiderueshëm i numrit të eksportuesve të vetëm.
Për këtë arsye, institucioni rekomandon që politikat për nxitjen e eksporteve të mos kufizohen te hyrja e bizneseve në tregje të reja. Mbështetja duhet të përfshijë rritjen e kapaciteteve prodhuese, përmirësimin e cilësisë së produkteve, certifikimin, informacionin mbi tregjet dhe aksesin në financimin tregtar.
Paralelisht, përmirësimi i infrastrukturës logjistike, procedurave doganore dhe besueshmërisë së transportit konsiderohet i rëndësishëm për uljen e pengesave që ndikojnë në vazhdimësinë e eksporteve.
Në këtë mënyrë, sfida për ekonominë shqiptare nuk mbetet vetëm rritja e numrit të bizneseve që eksportojnë, por edhe krijimi i kushteve që ato të ruajnë klientët, produktet dhe tregjet e huaja për periudha më të gjata./ekofin.al
